Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me pensionistët në Berat, në kuadër të turit të tij të takimeve në të gjithë vendin me kategori të ndryshme të shoqërisë.
Gjatë bashkëbisedimit, Rama u ndal te çështje kyçe si procesi i integrimit europian, niveli i korrupsionit, situata politike dhe projektet që po ndjek qeveria. Ai theksoi se objektivi kryesor mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Pas fjalës së Kryeministrit, mikrofonin e mori një pensioniste, dikur mësuese, e cila iu drejtua bashkëmoshatarëve me një mesazh për më shumë durim dhe optimizëm sa i përket nivelit të pensioneve.
“Duhet të kemi më shumë besim, më shumë optimizëm. Unë marr shembullim tim, dikur kisha një pension të vogël. Kam punuar mësuese, sot marr dyfishin e atij pensioni”, tha ajo.
Fjalimi i saj i artikuluar nuk kaloi pa u vënë re nga Kryeministri, i cili reagoi menjëherë me humor:
“Pas kësaj oratorie, vetëm të të marr ndonjë ditë të trajnosh deputetët e Partisë Socialiste”, u shpreh Rama, duke shkaktuar të qeshura mes të pranishmëve.







