Raporti tronditës: Një emigrant shqiptar burgoset çdo dy ditë në Britani

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Kriminelë shqiptarë, përfshirë edhe persona që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, po dënohen me një ritëm të lartë, me mesatarisht një person çdo dy ditë që përfundon pas hekurave.

Sipas raportimeve të The Telegraph, gjatë tre muajve të parë të vitit, rreth 63 shtetas shqiptarë janë dënuar me një total prej 207 vitesh burgim. Aktualisht, shqiptarët përbëjnë rreth 9% të të gjithë të burgosurve në sistemin penitenciar britanik.

Shumë prej tyre besohet se kanë hyrë ilegalisht në vend, përfshirë përmes kalimit me mjete të vogla lundruese. Në total, shtetasit shqiptarë përbëjnë grupin më të madh mes 10,376 të huajve të burgosur në Angli dhe Uells, të ndjekur nga Irlanda dhe Polonia.

Pjesa më e madhe e dënimeve lidhet me krime të trafikut të drogës dhe vjedhje, megjithatë në listë përfshihen edhe raste të rënda, si ai i një personi të dënuar për vrasjen e foshnjës së tij.

Sipas të dhënave zyrtare, çdo i burgosur i kushton buxhetit publik rreth 60 mijë paund në vit, çka e çon koston totale në qindra milionë paund nëse dënimet kryhen të plota.

Rritja e numrit të shqiptarëve të dënuar lidhet edhe me fluksin e lartë të emigrantëve në vitin 2022, kur mbi 12 mijë persona mbërritën në Britani në mënyrë të paligjshme. Në atë kohë, Agjencia Kombëtare e Krimit theksoi se një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve përfshiheshin në ekonominë informale ose në rrjete kriminale, duke dërguar shuma të mëdha parash drejt Shqipërisë.

Sipas të njëjtave burime, tregu i punës në sektorë si ndërtimi, hoteleria apo shërbimet e vogla ofronte të ardhura të shpejta, duke u bërë një faktor tërheqës për emigrantët ekonomikë.

Ndër rastet konkrete të fundit përmenden dy vëllezër, Kreshnik dhe Vitlum Hasanaj, të cilët u dënuan me nga pesë vite burg për shpërndarje kokaine në Kent, përmes një linje telefonike të dedikuar.

Po ashtu, 19-vjeçari Henri Nikolli u dënua me mbi gjashtë vite burg pasi në banesën e tij u gjetën armë të modifikuara dhe prova të aktivitetit të kultivimit të kanabisit.

Raporti alarmant i Home Office: Një emigrant shqiptar burgoset çdo

Henri Nikolli

Një tjetër grup prej pesë shtetasish shqiptarë u shpall fajtor për mbi 40 vjedhje në zona të ndryshme të Anglisë, duke shkaktuar dëme që kapin vlerën mbi 1 milion paund.

Ndërkohë, rasti më i rëndë mbetet ai i Klevi Pirjanit, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e djalit të tij tre muajsh, pas konstatimit të dëmtimeve të rënda fizike.

Raporti alarmant i Home Office: Një emigrant shqiptar burgoset çdo

Klevi Pirjani u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e djalit të tij tre muajsh.

Autoritetet britanike vijojnë të zbatojnë politika të forta ndaj shtetasve të huaj të dënuar. Sipas ligjit aktual, individët që marrin dënime mbi 12 muaj burg përballen automatikisht me dëbim pas vuajtjes së një pjese të dënimit.

Ndërkohë, qeveria britanike po shqyrton masa të reja që parashikojnë dëbimin e disa të dënuarve menjëherë pas shpalljes së vendimit gjyqësor. Në kuadër të bashkëpunimit me Shqipërinë, janë organizuar fluturime të shpeshta kthimi për emigrantët e paligjshëm dhe personat me kërkesa të refuzuara për azil.

Ministrja e Brendshme e Britanisë, Shabana Mahmood, ka deklaruar se autoritetet kanë dëbuar dhjetëra mijëra emigrantë të paligjshëm dhe kriminelë të huaj, duke theksuar se përpjekjet do të vijojnë për të forcuar kontrollin dhe rendin në vend.

Publikuar nga Publik Media