Maksim Fejzulla i njohur ndryshe si “Maksi i plehrave” është një personazh i përmendur shumë herë në media. Nëpërmjet kompanisë së tij KORSEL SHPK, Maksi ka fituar një numër tepër të madh tenderash në mënyrë të dyshimtë.

Jo vetëm kaq, por kompania e tij është përjashtuar për 18 muaj nga tenderat sipas një njoftimi të Agjencisë së Prokurimit Publik. Sipas këtij vendimi, “Maksi i plehrave” ka përdorur dokumenta të falsifikuara për të marrë pjesë në tendera pastrimi, nuk ka zbatuar kontratat e firmosura me bashkitë ku ka fituar tenderat, ka përvetësuar 115 kazanë plehrash si dhe ka fshehur se ndodhej nën hetim penal.

Vendimi i përjashtimit të tij për 18 muaj mban datën 27 janar 2022. Është e dyshimtë nëse ky afat është plotësuar por kompania e tij ka marrë një tjetër tender, tashmë nga Sotiraq Filo i Bashkisë Korçë. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-72188-06-12-2023 dhe me objekt Shërbimi i pastrimit (Emergjencë).

Siç kuptohet dhe nga emri, bëhet fjalë për një pastrim me urgjencë për të cilin është hapur edhe tenderi me procedurë me negocim, pa njoftim. Ky është një fakt që mban “erë” pasi pastrimi në përgjithësi është i planifikuar dhe nuk ka arsye të dalin emergjenca.

Gjithsesi fituese është shpallur firma KORSEL SHPK e “Maksit të plehrave” me ofertën 31,004,059 lekë të reja pa TVSH ose gati 370 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Kjo vlerë ndërkohë, rezulton të jetë sa 98% e fondit limit, duke i rritur akoma më tej dyshimet për një fitues të paracaktuar.