Reagimi i Iranit pas bomave amerikane: Bazat e tyre do bëhen hi

Ministria e Jashtme e Iranit thotë se SHBA ka filluar një “luftë të rrezikshme kundër Iranit” duke goditur objektet bërthamore të vendit të dielën, sipas një deklarate të shpërndarë nga agjencia gjysmëzyrtare iraniane Tasnim.

“Bota nuk duhet të harrojë se ishin Shtetet e Bashkuara që, në mes të një procesi diplomatik, tradhtuan diplomacinë”, thuhet në deklaratën e ministrisë së jashtme. Duke e përshkruar Izraelin si “gjenocidal dhe të paligjshëm”, deklarata akuzon SHBA-në se ka nisur “një luftë të rrezikshme kundër Iranit”.

“Shtetet e Bashkuara do të përballen me pasojat e sulmit ndaj Iranit. Bazat e tyre në Lindjen e Mesme do të digjen dhe do të bëhen hi”, thuhet në deklaratën e bërë publike.

Ajo thotë se sulmet përbëjnë një shkelje të Kartës së OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare, dhe se qeveria amerikane “mban përgjegjësi të plotë për pasojat e rënda dhe ndëshkimet e kësaj krime të neveritshme”.

Ministria paralajmëroi se është “e drejta legjitime e Iranit të kundërshtojë plotësisht dhe me vendosmëri agresionin ushtarak të SHBA-së dhe krimet e kryera nga ky regjim i jashtëligjshëm, dhe të mbrojë sigurinë dhe interesat kombëtare të Iranit me të gjitha mjetet e nevojshme”.

Ajo i bëri thirrje OKB-së dhe organeve të saj, përfshirë Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, që “të trajtojnë menjëherë këtë akt flagrant dhe kriminal të paligjshmërisë.” Gjithashtu, kërkoi që Këshilli i Sigurimit të OKB-së të mblidhet në një seancë urgjente për të dënuar sulmet.

Publikuar nga Publik Media