Fatos Lubonja
Skena e përgjunjes së kryeministrit shqiptar Edi Rama në tapetin e kuq, kur po vinte ta takonte kryeministrja italiane Meloni me rastin e Samitit evropian u bë virale dhe u komentua shumë në Itali. Në një nga debatet, ku merrte pjesë edhe ish-kryeministri italian Mateo Renzi, një profesoreshë e historisë e komentoi përgjunjen e Ramës duke iu referuar një zakoni mesjetar të raportit të mbretit me vasalët e tij. Sipas këtij zakoni, vasali, kur i vinte mbreti, duhej të qëndronte i përgjunjur (ndërkohë që të gjithë vartësit e tij duhet të qëndronin barkas) deri në momentin kur mbreti bënte shenjën që të ngriheshin. Kështu ndodhi edhe në këtë rast – tha ajo, – kryeministri shqiptar u ngrit kur i tha Meloni “basta”. Pastaj, duke qeshur me anakronizmin e kësaj skene, shtoi se një amerikan do ta merrte këtë skenë edhe si një propozim martese. Ndërkaq, Mateo Renzi e quajti “paliaciatta” (palaçollëk), por me komentin e tij tregoi se nuk e kishte hallin tek vasali, por tek mbretëresha që kishte bërë, sipas tij, një “dhuratë” të gabuar sepse me investimin në Gjadër dhe në Lezhë kishte çuar dëm 800 milionë euro nga paratë e taksapaguesit italian çka, gjithë sipas tij, e justifikonte edhe përgjunjen e vasalit.
Ajo që ra më në sy është se në Shqipëri nuk pati ndonjë reagim kushedi çfarë ndaj sjelljes së Ramës. Jo vetëm, por kjo skenë u eklipsua nga samiti, i cili u përshëndet si këndej edhe andej kufirit nga shumë shqiptarë me një lloj krenarie kombëtare sepse Shqipëria, sipas tyre, solli tek sheshi “Skënderbej” kryeministrat e të gjitha vendeve evropiane, pa u ndalur fare në atë se kishim të bënim me një “samit-washing” d.m.th. një shpëlarje me fytyrat e kryeministrave evropianë të fytyrës së nxirë të regjimit nga masakra e sapokryer elektorale. Por s’është hera e parë që shqiptarët nuk reagojnë për akte të tilla, ku sjellja prej vasali e Ramës e kombinuar me nevojën e tij të parezistueshme për t’u dukur, edhe duke bërë gaztorin e oborrit, mbështillet me krenari kombëtare. Heshtje të madhe pati edhe kur iu dha toka italianëve në Lezhë dhe në Gjadër për të sjellë emigrantët. Përveç një grushti militantësh e gazetarësh, shumica e trajtoi si një gjë normale, madje edhe me mburrje, si shenjë e mikpritjes sonë tradicionale apo të dashurisë sonë historike ndaj Italisë. Po kështu nuk reaguan shqiptarët edhe ku i dha dhëndrit të Trumpit 48 hektarë të ishullit të Sazanit, madje edhe opozita e trajtoi këtë si biznes normal.
Po nga na buron kjo ndjenjë “normaliteti” ndaj sjelljesh për të cilat të tjerët na qeshin, madje edhe përçmojnë? Sipas meje, kjo shpjegohet me atë se ne e kemi të rrënjosur thellë në ndërgjegjen tonë kolektive mendësinë e banorit të një vasalllëku, që krenohet kur i vjen mbreti në shtëpi. E kemi që prej atyre kohëve të para kur kjo ka qenë normale. Edhe heroin tonë kombëtar vasal të mbretit të Napolit e kemi pasur. E kemi trashëgim edhe prej Perandorisë Osmane kur sundimtarët e vegjël të krahinave tona – ata që quheshin “ajanë” – kishin një raport vasaliteti me Portën e Lartë që, me dy fjalë, konsistonte në një marrëveshje sipas së cilës, ajani duhet t’i çonte Sulltanit ushtarë për luftërat që bënte perandoria dhe si shpërblim ky e linte të sundonte sipas qejfit, duke mbyllur edhe një sy për grabitjet e keqtrajtimet që i bënte popullsisë së vet. Vetëm kur ajani me ambiciet dhe zullumet e tij bëhej tejet shqetësues për Portën e Lartë, atëherë vendosej t’i hiqej pushteti. Rastet më të shquara janë ai i Ali pashë Tepelenës dhe Kara Mahmut pashë Bushatlliut.
Vështruar nga paralelizmi historik që bëra, interpretimi i Renzit më duket i mangët, sepse përfitimi i vasalit dhe mbretit në marrëveshjen Rama- Meloni ka qenë reciprok. Meloni, për përfitimet e veta të lidhura me retorikat e veta elektorale kundër emigracionit, mori një copë tokë shqiptare, që kurrkush nuk do t’ia kishte dhënë sot në botë, kurse “dhurata” që i ka bërë e i bën ajo Ramës nuk janë 800 milionët, por legjitimiteti dhe mbështetja që i jep duke mbyllur të dy sytë për çfarë bën ky në vendin e tij. Mjaft të kujtosh britmat e saj kundër emisionit “Report” të RAI 3: “A e patë çfarë bënë?! E nxorën Shqipërinë sikur të ishte një narkoshtet. Duhet t’i kërkojmë ndjesë Edi Ramës”. Por ndoshta Renzit nuk i pëlqen t’i flasin për vasalitet, siç bëri profesoresha italiane, pasi, për hir të së vërtetës edhe në Itali përdoret me sarkazëm termi “vasal”, kur flitet për varësinë nga SHBA, duke përmendur edhe politikanë si Renzi, i cili, kur kërkoi të ndryshonte Kushtetutën për të marrë më shumë pushtet, organizoi një vizitë në Washington duke marrë me vete edhe një aktor të njohur, çmimin “Oscar” Roberto Benigni. Por ama rezultati i referendumit flet shumë për ndryshimin që ka sjellë koha andej Adriatikut në raport me këtej Adriatikut. Sepse, megjithëse perandori Obama u shpreh pas takimit në favor të reformës që donte Renzi, mbi 60% e italianëve votuan kundër dhe e detyruan të dorëhiqej. Është një ndryshim ky jo i vogël, që tregon se andej Adriatikut nuk mund të pranojnë me krenari vasali çdo vendim që merr Porta e Lartë e Washingtonit, siç bëjmë ne që deklarojmë se as nuk duhet të vihen në diskutim vendimet që merren atje për ne.
Po e përdor kaq shumë fjalën “ne”, pasi ajo që dua të them është se në këtë histori problemi nuk është thjesht Edi Rama. Ai nuk do të guxonte kurrsesi t’i bënte këto përgjunje sikur të mos mendonte se ne kemi mbetur një popull që shtrihet barkas kur i vjen mbreti për vizitë. Ai (si dhe sivëllezërit e tij) nuk do të paguante kurrsesi 80 mijë dollarë për të bërë një foto me presidentin e SHBA sikur të mos mendonte se kur ta shohim krah për krah me perandorin do ta ndjekim pas si delet. As nuk do të bënte intriga tek Porta e Lartë e Washingtonit për të shpallur kryetarin e opozitës non-grata për t’i thënë para popullit: “A e kalon dot ti Atlantikun?” e për ta eliminuar. Jo, jo, jemi ne, që, edhe kur duam të shpëtojmë nga ajanët, i varim shpresat tek amerikanët, pa është Rama. Mjaft të shikosh opozitën se si po bredh tani nëpër portat e Brukselit për t’u qarë se ajani u ka vjedhur votat në zgjedhjet, apo se si rrimë e komentojmë me pasion deklaratën e Ambasadës amerikane që kësaj here përshëndeti popullin shqiptar për zgjedhjet dhe jo ajanin e radhës, duke shpresuar se mos kanë vendosur ta heqin.
Mirëpo ka një kontradiktë të madhe në pranimin me kënaqësi të kondicionit të vasalit, që disa e kamuflojnë me termin partneritet ose duke i thënë vetes se kësaj here jemi vasalë të perandorisë së të mirës. Kontradikta qëndron në atë se vasaliteti është bash në kundërshtim me aspiratën tonë për demokraci, liri dhe shtet të së drejtës; për t’u bërë “si gjithë Evropa”, siç kemi aq qejf të themi e siç na premton ajani ynë i radhës gjithë duke ndërtuar autokraci. Për të kuptuar këtë kontradiktë mjafton të shtrojmë pyetjen: si ka mundësi që kemi mbi 30 vjet që, me ndihmën e perandorisë së të mirës, në vend se demokracinë, lirinë dhe shtetin e së drejtës kemi ndërtuar shtetin autoritar e kriminal të narko-oligarkëve? Përgjigja është: sepse nuk kemi mësuar ende dy gjëra që duken sheshit: së pari, se perandorisë së të mirës, siç e tregon edhe marrëveshja Rama- Meloni, por edhe tmerret që po shohim sot në botë, ku ulëret vrasja e mijëra fëmijëve palestinezë me armët e perandorisë, i intereson më shumë vasalllëku ynë sesa demokracia jonë. Së dyti, dhe më kryesorja: sepse demokracia as nuk importohet, as nuk eksportohet, ajo ndërtohet nga popujt që e duan atë. Dhe të duash atë do të thotë të duash të dalësh nga mendësia e vasalitetit. Dhe dalja nga kjo mendësi është “dalja e njeriut nga gjendja infantile për të cilën ai vetë është fajtor”, siç thotë Kanti kur i përgjigjej pyetjes “ç’është iluminizmi”, që do të thotë nga gjendja e nevojës për tutor, në gjendjen e njeriut që përdor mendjen e vet për të interpretuar botën dhe për të mbrojtur interesat e veta.