Burokratit të dëshpëruar që po lë pas një qytet të rrënuar nga babëzia
Naim Noka
Erion Veliaj ka qenë gjithmonë mjeshtër maniak i imazhit, një politikan që nuk linte asnjë detaj jashtë kontrollit, duke imituar deri dhe Obamën. Por sot, nuk është më ai që njohëm dikur: njeriu i videokasetave që bënte prova për gjestikulime të planifikuara dhe buzëqeshjes profesioniste false, sot është thjesht një burokrat në panik, që lutet që ky tmerr të mbarojë sa më shpejt, pa marrë parasysh çmimin.
Hetimet që prekin jo vetëm atë, por edhe familjen e tij, kanë goditur fort imazhin e ‘përkryer’ që ai e ngriti me aq zell, duke përdorur dhjetëra kameramanë e fotografë që paguan në bashki.
Kontrolli në shtëpitë dhe zyrat e bashkëshortes dhe të vëllait janë shumë më i rëndë sesa një masë sigurie ndaj tij.
Veliaj e di mirë se drejtësia dhe llogaridhënia janë më të thjeshta sesa përballja me hijet e errëta të korrupsionit. Ai e di se të shfaqesh në bankën e të akuzuarit, edhe pse poshtëruese, është më e pranueshme sesa të shohësh agjentët e BKH-së duke gërmuar në privatësinë e familjes tënde. Kjo është pika ku çdo fasadë bie dhe çdo maskë del jashtë loje.
Një tjetër çarje në fasadën e tij erdhi nga një deklaratë e tij për SPAK. Sipas Veliajt, kallëzimi ndaj tij ishte bërë nga një shtetas me emrin Nesti Angoni, i cili, sipas tij, nuk ekziston pasi e kishte kontrolluar në regjistrin e Gjendjes Civile. Por ky pretendim bie ndesh me nenin 283/3 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit kallëzimet anonime nuk mund të përdoren. Ndaj “kolegët” e SPAK duhet urgjent të informojnë publikun mbi këtë deklaratë të rreme dhe të mos lejojë që një politikan sharlatan i këtij niveli të shpikë histori mashtrimi për të manipuluar opinionin publik.
Por përtej Erionit si individ, Tirana është viktima e vërtetë e kësaj historie. Një qytet i rrënuar nga babëzia, ku çdo hapësirë publike është kthyer në një mall privat dhe ku përparësitë e qytetarëve janë sakrifikuar për interesat e pak njerëzve. Tirana sot është e mbuluar nga hija e një masakre urbane që nuk mund të shlyhet as nga drejtësia më e shkëlqyer.
Charlie Chaplin thoshte: “Mjerimi që ka rënë mbi ne është thjesht kalimi i babëzisë – hidhësia e njerëzve që kanë frikë prej progresit njerëzor.”
Babëzia dhe korrupsioni kanë akumuluar një pasuri të turpshme në duart e pak njerëzve, ndërsa Veliaj, në kontrast, poshtëronte në mënyrë sistematike nënat e moshuara që shisnin pak sallatë, fiq apo një pagure qumësht për të mbijetuar.
Dita kur Veliaj dhe të ngjashmit e tij do të japin llogari para shqiptarëve mund të mos jetë shumë larg. Drejtësia vonon, por nuk harron. Por Tirana, ajo që dikur ishte qyteti i shpresës, nuk do të jetë më si më parë. Kryqyteti do të mbajë plagët e një epoke ku babëzia e “Erionëve” të Ramës që u pasuruan duke zhvatur llokma nga gjaku dhe djersa e qytetarëve të Tiranës, triumfoi mbi të drejtën.