Zbardhen tre qytetet kryesore – Qarkullimi vijon normalisht
Qarku i Kukësit është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe bore që prej orëve të para të mëngjesit të së dielës. Aktualisht reshjet vijojnë në të gjithë territorin, përfshirë edhe zonat e ulëta. Kukësi, Bajram Curri dhe Kruma janë zbardhur tërësisht nga bora, duke sjellë një pamje dimri në mesin e pranverës.
Paraditen e së dielës reshjet kanë qenë më intensive në zonat malore, por bora është shtrirë edhe në qytete dhe fshatra të tjerë të qarkut.
Megjithatë, pavarësisht reshjeve, të gjitha akset rrugore nacionale në Qarkun e Kukësit janë të qarkullueshme normalisht. Subjektet kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve janë në terren dhe po punojnë për pastrimin e borës dhe hedhjen e kripës aty ku është e nevojshme për të siguruar funksionalitetin e akseve rrugore.
Bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk kanë raportuar ndonjë situatë emergjente deri në këto momente. Furnizimi me energji elektrike është stabil në të gjithë qarkun, përveç disa fshatrave të Njësisë Administrative Tropojë, si Myhejan, Buçaj, Astë dhe Sopot, ku janë shënuar ndërprerje të energjisë.
Sipas njoftimit të KMC-së së Prefekturës Kukës, furnizimi me ujë të pijshëm vijon sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria e UK Kukës.
Edhe Rruga e Kombit është prekur nga reshje të dendura bore. Pavarësisht kësaj, kompania mirëmbajtëse bën të ditur se qarkullimi i mjeteve në këtë aks strategjik nuk është penguar. Në segmentin Fan–Tunel–Kukës–Morinë janë vendosur 18 borëpastruese që po punojnë intensivisht për pastrimin e rrugës dhe kriposjen e saj.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të lëvizin me kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, sidomos në akset malore dhe në Rrugën e Kombit ku reshjet vijojnë me intensitet.