REPORTAZH | PUBLIK.AL/Kristna Kokli
Historiani dhe studiuesi Auton Tare ndau në rrjetet sociale një histori të pazakontë për vendin tonë.
Një bari nga Idia në malet e Kolonjës, që ka ardhur në vendin tonë për të punuar , ndërsa ngre shqetësimin në lidhje me humbjen e kulturës baritore një humbje e madhe për identitetin dhe të ardhmen turistike të Shqipërisë.
Kolonja dhe Kurveleshi dikur ishin toka të bekuara për blegtorinë nomade. Tufat lëviznin me stinët, ndjeknin malin, barin, diellin. Cjepët me zile të mëdha, të ardhura nga Janina e Leskoviku, ishin liderët e padiskutueshëm të shtegtimeve sezonale. Në çdo stan flitej për rrugë, për motin, për bagëtinë, për verën dhe dimrin – dhe për zotin e tufës.
Ishte një mënyrë jetese që mbante gjallë jo vetëm ekonominë, por edhe shpirtin e krahinës: veshjet, këngët polifonike, sofrat, ritin e mikpritjes dhe lidhjen intime me natyrën. Bariu ishte po aq pjesë e peizazhit sa vetë mali.
Me kalimin e viteve, tufat janë zhdukur. Stanet janë rrënuar. Djemtë e fshatrave kanë shkuar në Greqi, Itali, Gjermani. Ata që kanë mbetur nuk kanë më durim për malet. Dhe kështu, në vend të Jorgos apo Iljos që përçonte tufat në grykat e Gramozit, kemi Rio-n – një i huaj që paguhet për të mbajtur gjallë një kulturë që vetë vendasit e kanë braktisur.
Por kjo nuk është thjesht një histori trishtimi. Është një alarm. Sepse me shuarjen e jetës baritore nuk humbet vetëm një zanat, por tërë një shtresë e trashëgimisë kombëtare: zakonet, këngët, veshjet, kulinaria, vetë identiteti. Dhe jo vetëm kaq – edhe një potencial i jashtëzakonshëm për turizmin kulturor.
Në vendet perëndimore, fermat tradicionale të ruajtura me dashuri dhe kujdes janë atraksione turistike. Në Shqipëri, kultura baritore është shpallur trashëgimi botërore nga UNESCO – dhe megjithatë, shteti shqiptar nuk ka as një plan, as një projekt, as një strategji për ta ruajtur, promovuar apo shfrytëzuar si aset.
Po, është një mënyrë e vështirë jetese. Po, teknologjia ka ndryshuar gjithçka. Por nëse edhe mali i Kolonjës duhet të presë barinj nga India apo Nepali, për të mbajtur gjallë tufat, atëherë jemi përballë një kapitullimi kulturor.
Në këtë kuptim, Rio është një figurë e rëndësishme jo për të ardhmen e blegtorisë shqiptare, por si dëshmitar i fundit i një epoke që po vdes para syve tanë. Ai është pasqyra ku shohim boshllëkun tonë. Ai është kambana që bie për të na kujtuar se po harrojmë veten, rrënjët dhe mënyrën tonë të të jetuarit.
Dhe kështu, Rio bëhet një mesazh. Një bari nga India që ruan delet në Shqipëri nuk është lajm turistik – është dramë kombëtare. Sepse barinjtë duhet të jenë të kësaj toke, të rritur me zërin e këmborës dhe erën e dhisë në prag. Jo të importuar për të mbushur një boshllëk që po rritet çdo ditë.
Nëse nuk veprohet tani me politika, investime, nxitje dhe edukim atëherë bariu shqiptar do të jetë vetëm një figurë në ndonjë ekspozitë etnografike. Dhe mali? Mali do të heshtë.
Rio do të largohet një ditë. Dhe me të, edhe ajo grimë kujtese që na ka mbetur për një botë që e kishim, por nuk e deshëm mjaftueshëm për ta mbrojtur.
Klodian Tomorri Meta dhe Veliaj në burg pa akuzë zyrtare. Beci? I pandehur prej vjeshtës,…
Andi Bushati Pa fuqinë mediatike për të blerë vëmendje dhe shitur ëndrra Rama dhe ekipi…
Dritan Rexhepi, është shoqëruar forcërisht në Gjykatën e Posaçme të apelit më kërkesë të togave…
Policia e Kurbinit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Couple”, me qëllim zbardhjen…
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në një takim zyrtar nga Perandori i Japonisë,…
Benet Beci u mor i pandehur nga SPAK 3 javë para zgjedhjeve Afati 3 mujor…