Rrëfimi tronditës i Erion Alibejt përballë Gjykatës së Posaçme

Një botë pa ligje

Në qendër të këtij rrëfimi është Erion Alibej, një personazh që nuk ka më asnjë iluzion mbi botën ku ka jetuar: një realitet ku krimi, policia dhe drejtësia janë shpesh pjesë e të njëjtës skemë. Në rrëfimin e tij, ai ndan copëza të jetës së vet që përzihen mes trafikimit ndërkombëtar të drogës, masakrës që i mori familjen dhe tentativës për t’u hakmarrë.

Trafiku i drogës dhe hyrja në botën kriminale

Alibej pranon se është përfshirë në trafikun e kokainës në Europë, për të larë borxhe dhe për të mbështetur njerëzit e tij. Ai flet për kontrollin e tregjeve ndërkombëtare dhe për konfliktet me grupe rivale. Mes emrave që përmend janë Suel Çela, Sokol Sanxhaktari dhe grupi Çapja  të gjithë me të kaluar dhe të tashme kriminale.

Masakra e fundvitit 2018 vija ndarëse

Ngjarja që shënon pikën pa kthim është masakra e dhjetorit 2018, ku Alibej humbi tre anëtarë të familjes. Ai përshkruan një skenë tronditëse: plagët, kaosi, policia që vjen me vonesë dhe njerëzit që i ngushëllojnë me lot krokodili. Pikërisht këta, më pas, i përmenden si të dyshuar në organizimin e atentatit.

Dyshimet, tradhtitë dhe oferta për hakmarrje

Në një përshkrim të pastër të logjikës së botës kriminale, Alibej ofron 100 mijë euro për vrasjen dhe 200 mijë euro për kapjen e gjallë të personave që mendon se kanë vrarë familjen e tij. Ai i përmend një nga një: Talo Çela, Suel Çela, Dorian Shkoza – ndërsa rrëfen edhe për tentativat e tyre për të vrarë Nuredin Dumanin e vëllain e tij Dashnorin.

Policia dhe shtetit pjesë e skemës

Në këtë botë të përmbysur, nuk mungon as pjesëmarrja e institucioneve shtetërore. Alibej përmend përdorimin e aplikacionit të koduar “Sky ECC” dhe bashkëpunimin e drejtëpërdrejtë të zyrtarëve të policisë me kriminelët. Madje, në rastin e Suel Çelës, përmendet edhe shefi i komisariatit si pjesë e grupit të tij.

Konflikti me Çapjat, aleatë apo manipulatorë?

Pas masakrës, në shtëpinë e Alibej shfaqen edhe njerëzit e familjes Çapja, duke e ngushëlluar dhe duke e orientuar për drejtimin që duhet të marrë hakmarrja. Por rrëfimi e lë të kuptohet se edhe këta mund të kenë interesa të errëta dhe nuk janë aq të pafajshëm sa duan të duken.

Rrëfimi si akt i fundit i njeriut që kërkon të shpëtojë?

Në fund, Alibej ngjan më shumë si një njeri i thyer se sa një bos droge. Ai duket se kërkon të rikthejë kontrollin mbi jetën e tij përmes rrëfimit. Por edhe ky rrëfim mbetet pjesë e një loje ku nuk ka të mirë e të këqij – ka vetëm njerëz të përfshirë në një sistem të kalbur.

Ky rrëfim ngre pikëpyetje të mëdha mbi funksionimin e shtetit, mbi rolin e policisë dhe mbi drejtësinë. Elbasani nuk duket si qytet, por si një zonë gri ku sundon forca, frika dhe krimi. Nëse personazhe si Alibej, Çela, Dumani, Çapja dhe Sanxhaktari janë ata që diktojnë fatet e njerëzve, atëherë nuk kemi të bëjmë me një shtet – por me një territor të braktisur nga ligji.

Në atë pjesë dëshmie që ai ndau me Gjykatën e Posaçme dje, në cilësinë e të shumakuzuarit që ka fituar statusin e të penduarit, tregoi se hasmëria brutale dhe gjakësore nisi pikërisht me miqtë e tij, Çopjat! Trafik kokaine, zotërim tregjesh ndërkombëtare, humbje malli dhe hedhje dyshimesh mbi njëri-tjetrin. Më pas në lojë hyn Suel Çela, edhe ky i njohur i tij. Më pas vijon më Sokol Sanxhaktarin, derisa vjen koha të ndalohet tek i fundit për nga radhët e njohjes, killerin gjakëtoftë që gjurmonte viktima të dyfishta: Nuredin Dumanin.

Erion Alibej në rrëfimin e tij, lë të kuptohet se ‘vrasësi’ brenda tij lindi funddhjetorin e 2018-s, atë natë ku ranë në pritë familja e tij. Por deri në atë moment ai duket se ka hyrë në tregjet e trafikut të drogës për të larë borxhe e mbështet njerëzit e tij që merreshin me atë aktivitet. Por, kur rrëfen postmasakrën, personat e dyshimtë që i shkojnë në ceremoninë mortore të vëllait, i qajnë para syve, ndërkohë që një palë tjetër, në këtë rast Çapjat, i ofrohen për ta ndihmuar dhe ngushëlluar në atë humbje të trefishtë, duket se hakmarrja nuk është thjesht hakmarrje. Alibej kërkon gjurmë të organizatorëve dhe ndahet mes Çopjave, Suel Çelës dhe Talo Çelës. Dhe kur Nuredin Dumani merr vesh se Talon e kërkonte edhe Alibej i vetofrohet. Alibej thotë se i thashë Nuredinit: Jap 100 mijë euro për vrasjen dhe 200 mijë euro kush ma sjell të gjallë!

Më pas rrëfen se Dumani, veç Talos i thotë se në vrasjen e familjes së tij kishte marrë pjesë edhe Dorian Shkoza. Alibej kupton më vonë se Dorian Shkoza, në fakt, kërkonte të vriste Nuredinin e të vëllanë e tij, Dashnorin. Por në të gjithë këtë paradë ku kalojnë vrasës, organizator, sundues të botës së errët në vend, e kryesisht në Elbasan, shfaqet si gjithnjë, e kudondodhur policia. Alibej tregon se një polici i bleva telefon “SKY ECC”, një tjetër e dija se ishte në grupin e Suel Çelës, madje kishte shërbyer edhe si shef komisariati në Elbasan, që shumë shefa policie mbanin telefona të enkriptuar, që bashkëpunonin me grupet e fuqishme brenda dhe jashtë Elbasanit, ndërsa ai luftonte të gjente se kush qëlloi mbi tre njerëzit e tij.

PJESË NGA DËSHMIA

“…Vazhdova punën fuqishëm me shitjen e kokainës në Angli, dua të shpjegoj se është e pavërtetë që lufta ka nisur për një ngarkesë prej 50 kg drogë. Në qytet filluan intrigat, fjalët sikur Sueli kishte shtyrë një person me plagos dajën tim. Sueli është marrë gjithmonë me aktivitet kriminal, përveçse me drogë dhe në këtë periudhë kishin përplasje me grupin Çapja. Një konflikt i hapëm i fiseve, me Ardian Çapjan, Florenc Çapjan e Bledar Muçën. Pasi erdha në Shqipëri, ishim tek lokali i dajës, kaluan me “Range Rover” Sueli, i ati i tij dhe Sokol Sanxhaktari. Sueli hapi xhamin dhe i tha Endritit, hajde pak tek Tregu. I thashë Suelit s’ke turp që drejton gishtin, i fola rëndë, doli Sokol Sanxhaktari më tha o Erion ça po flet, ishte koha që ky merrte njerëz i dhunonte te Tregu… Ndërsa në lidhje me natën e masakrës,

Alibej shpjegon: “Shtetasi turk ka qenë edhe më herët në Shqipëri, kur vajza ime mbushi 1 vjeç, ishte mik i ngushtë i joni për shkak të marrëdhënieve të punës me Endritin. Mbrëmjen e masakrës Endriti ishte në Tiranë me disa miq, pastaj u nis për Peqin tek dajat e mi, ku ishin mbledhur, teksa un po çoja ca dhurata për fundvit tek një miku jonë noter…

Nusja e vëllait tim, shtetasja rumune ishte në muajin e fundit të shtatzënisë. Isha i pari në vendngjarje, s’kishte njeri as polici, e çuditshme, aty rri gjithmonë një patrullë policie, edhe tani po të kalosh ka aty patrullë, gjeta nënën, tezen, motrën, kalamajtë që ulërisnin, ishte një skenë që nuk e përshkruaj dot. Kapa Endritin, m’u duk i ngrohtë, por kishte shumë plumba në një anë, erdhi një furgon policie dhe ambulanca, por ndërruan jetë në spital.

Sapo shkova në shtëpi po vinin shumë njerëz, miq dhe shokë, shumë shpejt më erdhën njerëz të familjes Çapja, Florenci dhe disa të tjerë, dola veç, i ngjova me Bledar Muçën dhe Florenc Çapjan. Bledari me tha: “I pata thënë Endritit të bënte kujdes, por s’më dëgjoi”. I thashë nga kush? Më tha: ‘vetëm Suel Çela bën këto masakra! Bled Muça kishte pirë alkool. I thashë flasim në një moment tjetër, por më thanë na ke në krah, ashtu i interesonte. Po me vinin informacione pa fund, jo ta ka bo Kamer Mehja, jo Suel Çela, sidomos për Suelin.

Rreth atyre ditëve më është përmend emri i Çopjave dhe ma ka përmend Sokol Sanxhaktari dhe më thonë që atentatin e ka ba Talo Çela dhe Dari, për Hajdar Çopjan. Në ditën e parë, që akoma nuk i kisha përcjellë në varreza, Franc dhe Hajdar Çopjan i kisha aty poshtë shtëpisë dhe të gjithë bisedat e tyre e lidhnin me Suel Çelën dhe për më tepër ato kanë qajtë në varrimin e vëllait”.

Publikuar nga Publik Media