Raporti i kredive me probleme për institucionet financiare jobanka shënoi rënie gjatë vitit 2024, duke zbritur në 12.05%, nga 13.9% një vit më parë. Megjithatë, ky nivel mbetet afro tri herë më i lartë se mesatarja e sektorit bankar, ku ky tregues ishte 4.17% në fund të vitit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, përmirësimi erdhi si pasojë e zgjerimit të portofolit të përgjithshëm të kredisë, ndërkohë që kredia me probleme mbeti thuajse e pandryshuar. Një tjetër faktor ndikues ishte largimi nga tregu i dy aktorëve problematikë: Micro Credit Albania (MCA) dhe Final. Të dy këto institucione humbën licencën pas kallëzimeve penale për shkelje në mbledhjen e kredive të këqija.
Përmirësimi i cilësisë së portofolit ndihmoi edhe në rritjen e fitimeve, ku sektori gjeneroi një rezultat pozitiv neto prej 5.51 miliardë lekësh, me një rritje vjetore prej 11.3%. Subjektet që dominuan rritjen ishin NOA, Kredo Finance dhe AK Invest.
Megjithëse kthimi mesatar nga aktivet ra lehtë në 7.3%, kthimi nga kapitali u përmirësua ndjeshëm, duke arritur në 39%.
Në fund të vitit, portofoli i kredisë bruto i sektorit jobankar u rrit në 58.7 miliardë lekë, ose 6.76% e totalit të sistemit bankar. Kredidhënia zuri pjesën më të madhe të aktivitetit me 78%, ndjekur nga qiraja financiare me 21%, ndërsa faktoringu mbetet nën 1%.
Rritjen më të fortë e shënoi NOA, ndërsa në mikrokredi, IuteCredit vijoi të ishte aktori dominues, me një rritje modeste, por të qëndrueshme.