Rruga e Arbrit mbetet “rrugëve” edhe pse ka gllabëruar 158 milion euro nga buxheti i shtetit

 

Kryeministri, Edi Rama, Ministrja e Infrastruktures dhe Energjise, Belinda Balluku, Ministri i Drejtesise, Ulsi Manja ne ceremonine e hapjes provizorisht te Rruges se Arbrit, prane Tunelit te Murrizit.Rruga e Arbrit, një ndër projektet më ambicioze të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, është bërë objekt i një monitorimi të detajuar për shkak të vonesave të vazhdueshme dhe kostove të larta financiare. Që nga nisja e punimeve, ky projekt ka përfituar 158 milion euro nga buxheti i shtetit brenda një periudhe prej pesë vitesh e gjysmë. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë shpenzuar 28.4 milion euro për këtë projekt, ndërkohë që punimet vazhdojnë në disa segmente të rrugës.

Sipas raportit vjetor të Agjencisë së Monitorimit të Koncesioneve, deri në fund të vitit 2023 janë përfunduar 54 kilometra të rrugës, por vetëm 19 kilometra kanë përfunduar plotësisht me shtresat asfaltike. Pjesa tjetër është në fazën e binderit. Ndërkohë, 5 tunele të shkurtra dhe 4 ura janë përfunduar, por puna për Tunelin e Murrizit ende vazhdon.

Tuneli i Murrizit, që përbën një segment kritik të projektit, ka hasur në vështirësi të mëdha për shkak të formacionit gjeologjik. Edhe pse gërmimet janë realizuar 100%, punimet përfundimtare për betonimin, drenazhimin, hidroizolimin dhe përforcimin e tunelit janë ende në proces.

Pavarësisht inagurimeve të dyfishta, Rruga e Arbrit ende nuk është përfunduar plotësisht. Probleme serioze u hasën në projektin e parë të Tunelit të Murrizit, duke çuar në braktisjen e punimeve nga kompania kontraktore Gjoka Konstruksion dhe fillimin e një alternative të re për ndërtimin e tunelit.

Sipas kontratës koncesionare, punimet duhej të përfundonin në prill të vitit 2022, por afati u shty për 17 muaj të tjerë për shkak të studimit dhe miratimit të projektit të ri për tunelin. Afati i ri ishte tetor 2023, por edhe ky afat është kaluar, dhe ende nuk ka një datë të qartë për përfundimin e plotë të rrugës.

Rruga e Arbrit, një projekt PPP me një vlerë investimi fillestare prej 235 milion euro, është financuar fillimisht nga sektori privat, ndërsa shteti është angazhuar të paguajë 348 milion euro bashkë me interesat deri në vitin 2031. Deri më tani, buxheti shtetëror ka shlyer 45% të shumës së detyrueshme ndaj koncesionarit.

Projekti i Rrugës së Arbrit paraqet sfida të mëdha për administratën publike dhe për qytetarët. Vonesat e zgjatura dhe kostoja e lartë financiare kërkojnë një rishikim të kujdesshëm të mënyrës së menaxhimit dhe realizimit të projekteve të tilla madhore në të ardhmen.

Publikuar nga Publik Media