RTSH në krizë: Gazetarë dhe staf teknik pa paga prej tre muajsh

Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), institucioni publik që financohet nga taksapaguesit dhe menaxhon tenderë me miliona euro, është përfshirë në një tjetër skandal të rëndë. Burime të brendshme nga RTSH bëjnë me dije për Publik.al se dhjetëra punonjës me kontratë – gazetarë, teknikë dhe personel i angazhuar në emisione dhe produksione të ndryshme – nuk janë paguar prej gati tre muajsh.

Sipas këtyre burimeve, justifikimi i zyrtarëve të RTSH-së është një borxh i madh financiar që institucioni ka akumuluar. Megjithatë, ky arsyetim bie ndesh me realitetin e buxheteve marramendëse që ky ent publik shpall përmes tenderëve dhe projekteve që nuk ndalen, pavarësisht situatës së brendshme financiare.

“Kemi kredi në banka, kemi familje për të mbajtur. Nuk është faji ynë që ata kanë borxhe, por ne po ndëshkohemi.” – shprehet për Publik.al një prej punonjësve të pa paguar, që kërkon të mbetet anonim nga frika e hakmarrjes.

Ironikisht, ndërkohë që pagesat për stafin bazë nuk kryhen, RTSH vazhdon të shpenzojë në mënyrë të dyshimtë për projekte pompoze, duke thelluar kontradiktën midis prioriteteve financiare dhe misionit të tij si shërbim publik.

Ky është skandali i radhës që godet RTSH-në, pas një sërë kritikash për mungesë transparence, emërime politike dhe keqmenaxhim të fondeve publike. Kjo situatë ngrit pyetje të forta për menaxhimin e institucionit dhe për rolin e autoriteteve mbikëqyrëse që deri tani kanë qëndruar në heshtje.

Publikuar nga Publik Media