Sa e vërtetë mund të jetë një fitore të cilën je i detyruar t’ia heqësh vetes dhe t’ia faturosh kundërshtarit?!

Elona Caslli

Fitorja e Partisë Socialiste është aq artificiale, sa duket se edhe analistëve të studiove televizive, nuk u ka mbetur asnjë argument logjik për ta përligjur dhe niveli i argumentit që i shërbehet publikut mund të përmblidhet brenda formulës; “Partia Socialiste nuk fitoi falë qeverisjes së mirë, por për shkak të Opozitës së keqe. Qeverisja ka qenë e keqe, por Opozita është akoma më e keqe”.

Me pak fjalë, aq e pamerituar, e panatyrshme dhe aq e palogjikshme është fitorja e Partisë Socialiste, sa lind nevoja që arsyen e fitores Partia Socialiste mos t’ia faturojë suksesit të saj si forcë qeverisëse, por dështimit të forcës opozitare.

Një nga arsyet e tjera pse Partia Socialiste ndihet e kompleksuar nga kjo fitore është numri i mandateve të fituara. Ky numër dëshmon se procesi i vjedhjes së votave ka dalë jashtë kontrollit dhe ka provokuar këtë situatë ku Fituesit kompleksohen keq nga fitorja e tyre.

Partia Socialiste ka tradhtuar vetveten përmes numrit të mandateve. Që të ishte më e besueshme, duhet të kishte kontrolluar më mirë procesin e manipulimit dhe numri i mandateve të vjedhura të ishte më i vogël në mënyrê që të ishte më i besueshëm. Numri 83 është provë e pakundërshtueshme e artificialitetit të kēsaj fitoreje. Pse është provë artificiale?!

Sepse çdo kryeministër, qoftë ky më i përgjegjshmi, pas 12 vitesh në pushtet konsumohet dhe në asnjë shoqëri demokratike figura e tij nuk do të shoqërohej me mandate të shtuara. Ndërkohë në Shqipëri, kemi të bëjmë me një kryeministër me një mal skandalesh në qeverisje, me një ish zv.kryeministër në arrati me ministra, kryebashkiakë në burg dhe me miliona euro të faktuara si të vjedhura nga kabineti i tij qeveritar, por paradoksalisht kemi mandate të shtuara të këtij kryeministri.

Ky ështē terësisht një realitet artificial, i cili e detyron një kryeministër të mos shijojë dhe të krenohet me fitoren e tij, por të shndërrohet në këshilltar të opozitës. Ta këshillojë Opozitën se ç’formë dhe ngjyrë duhet të ketë.
Pra, kryeministri nuk e mban dot peshën e fitores artificiale mbi supe dhe këtë peshë e shkarkon disi duke u luajtur rolin e këshilluesit për opozitën.

Post Scriptum- Sa e vërtetë mund të jetë një fitore të cilën je i detyruar t’ia heqësh vetes dhe t’ia faturosh kundërshtarit?! Kjo është pyetja thelbësore që pasqyron procesin zgjedhor të vitit 2025.

 

Publikuar nga Publik Media