Një ditë pas denoncimit të bërë nga Sali Berisha për një rast të dyshuar krimi zgjedhor në qarkun e Elbasanit, policia vendore ka nisur procedim penal ndaj shtetasit Dervish Beqiri. Në ambientet e lokalit të tij në fshatin Pekisht u gjetën 10 fletë votimi të paplotësuara, të dyshuara si të falsifikuara.Kjo ngjarje u përdor nga ish-kryeministri Berisha si pikënisje për një tjetër konferencë për mediat, ku ritheksoi pretendimet për manipulim të procesit zgjedhor të 11 majit. Përveç Elbasanit, ku opozita humbi me një diferencë prej 50 mijë votash, ai u ndal edhe në Durrës, ku rezultati ishte edhe më thellë në favor të mazhorancës,rreth 75 mijë vota diferencë.Duke përmendur emra kandidatësh dhe militantësh, Berisha akuzoi Partinë Socialiste për manipulimin e 28 mandateve parlamentare. “Kampion është natyrisht Sara Mile. Kampion është Arkend Balla. Kampion është Ani Dyrmishi. Kampion është Blendi Xhabafti. Këta të katër së bashku bëjnë rreth 80 mijë vota dhe janë pararojë e kontingjentit të krimit të 28 deputetëve që, sipas tij, janë mbështetur nga bandat me urdhër të Edi Ramës,” u shpreh Berisha.Në deklaratat e tij, Berisha u ndal edhe në rezultatin e qarkut të Fierit, ku përfaqësuesi i opozitës Gazmend Bardhi nuk arriti të siguronte asnjë mandat në listën e sigurtë. Ai përmendi kandidaturën e Zeqine Çaushit si arsye të mundshme për këtë rezultat, duke e cilësuar atë si “Sara Mile e Fierit”.Për Berishën, humbja e thellë e opozitës nuk lidhet me problemet brenda radhëve të saj, por me faktorë të jashtëm, ku ai përfshiu edhe forca të tjera opozitare që, sipas tij, “morën deputetë sa Tom Doshi” dhe “shërbyen për t’i hequr opozitës të paktën 8 deputetë”.Organi i akuzës pritet të vijojë hetimet për rastin e Pekishtit, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar mbi akuzat për manipulim zgjedhor.
