
Ura e Kukësit, jo vetëm një urë por dhe një betejë gjyqësore: Salillari kërkon 8.2 milionë euro nga MAEG – Gjykata e Lartë vendos transferimin e çështjes në Administrative
Një prej veprave më të promovuara së fundmi nga qeveria, Ura e Re në Kukës, po rezulton jo vetëm një projekt infrastrukturor, por dhe një “urë” drejt një përplasjeje ligjore të përmasave milionëshe.
Gjykata e Lartë, me relator kryetarin në detyrë Sokol Sadushi, ka dalë me një vendim të prerë mbi konfliktin midis kompanisë shqiptare “Salillari” dhe firmës italiane “MAEG BRANCH ALBANIA”, lidhur me pretendimet për zbatimin e gabuar të kontratës së nënkontraktimit gjatë ndërtimit të urës.
Sipas vendimit të formës së prerë, çështja duhet të shqyrtohet nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë, dhe jo më nga gjykatat civile. Me këtë vendim, i jepet drejtim një beteje që rrotullohet rreth një shume prej mbi 8.2 milionë euro, për të cilën Salillari pretendon se i takon si dëm ekonomik dhe penalitete nga bashkëpunimi me kompaninë italiane.
Çfarë kërkon Salillari?
Në kërkesën drejtuar gjykatës, kompania shqiptare kërkon:
- Sekuestrimin e pasurive të MAEG dhe kredive ndaj të tretëve;
- Detyrimin për pagesën e penaliteteve në vlerën 5.280.000 euro;
- Rikthimin e shpenzimeve të realizuara sipas kontratës në vlerën 182.637,11 euro;
- Njohjen e të drejtës për të mbajtur 10% si garanci defekti, rreth 832.000 euro;
- Rimbursimin e kostove të riparimit të punimeve dhe defekteve, në vlerën 3.5 milionë euro;
- Pagesën e kamatvonesave për gjithë shumën;
- Shpenzimet noteriale e përkthimore prej 5.052.040 lekësh;
- Dhe ngarkimin e shpenzimeve gjyqësore palës së paditur.
Ndërkohë, edhe pse çështja ka hyrë në një labirint procedurial, ura u përurua publikisht nga vetë kryeministri Edi Rama, ndërkohë që nuk është më në përdorim të përkohshëm, por e dorëzuar pranë ARRSH.
Kjo përplasje tregon një tjetër rast ku pas shiritit të kuq të përurimeve fshihet një realitet kontradiktor dhe konfliktual në menaxhimin e projekteve publike, që shpesh përfundojnë jo vetëm në rrugë, por edhe në gjykatë.
