Dhurata Frashëri hap thesin e parave publike për luksin e liderëve të Europës
Nga Publik.al
Pak ditë përpara Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që mbahet sot 16 maj në Tiranë, qeveria shqiptare ka vendosur të shkëlqejë , jo për përmbajtje apo arritje konkrete por për shpenzime marramendëse në emër të mikpritjes.
Në qendër të këtij luksi financiar ndodhet Dhurata Frashëri, drejtoresha e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, e cila ka shpalosur një ofensivë tenderash të njëpasnjëshëm, me vlera që lënë pas çdo sens racional të kursimit, transparencës apo interesit publik.
Tender për çdo shije nga gardhet e hekurta te “dhuratat e paqarta”
Në prag të këtij eventi, janë lëshuar dhjetëra tendera, që të gjitha të justifikuara në emër të “organizimit”, por që në realitet ngjajnë më shumë me një shfrytëzim të mundësisë për abuzim. Ja disa nga shpenzimet e përmbledhura si më poshtë:
- 2.4 milionë euro për marrjen me qira të kontenierëve në sheshin “Skënderbej”.
Fitues: Kompania “REDCLOUD” e Klodian Makashit,e cila në ditën e shpalljes fituese ka transferuar kuotat… vetes së tij në QKB. Koincidencë?
- 51 mijë euro për “dhurata” për liderët e BE-së. Çfarë dhuratash? Nuk thuhet askund. Nëse llogarisim rreth 30 liderë, del mbi 1.500 euro për kokë – vlera që as mbretërit nuk do të refuzonin.
- 83.500 euro për makina luksoze me qira, 15 mijë euro për mobilim, 12.500 euro për ndriçim, 30 mijë euro për LED, 44 mijë euro për kancelari, 20 mijë për banera, 26 mijë për sistem përkthimi simultan, 5500 euro për gardhe hekuri me qira.
- 17 mijë euro për regji televizive, 9 mijë euro për një tapet një përdorimësh, 3.660 euro për spila të personalizuara, 4200 euro për pajisje elektronike me qira.
- 1600 euro për kompozime me lule, ndërsa fëmijët e shkollave nga rrethet kanë bërë piktura për BE-në, të cilat janë dhënë për përdorim privat firmës organizatore.
Formaliteti si maskë për klientelizëm
Tenderat, sipas dokumenteve të siguruara, janë zhvilluar me procedurë “të hapur”, por në shumë raste janë negociuar me firmat e preferuara, si në rastin e “REDCLOUD”, ku procedura ishte një formalitet dhe fituesi dihej që në start.
Kjo është një skemë tipike klienteliste, ku paratë publike qarkullojnë në duart e një grushti kompanish të lidhura politikisht. Vlera totale e tenderëve të shpallur për Samitin e 16 majit shkon mbi 400 milionë lekë të reja (rreth 4 milionë euro), një shifër që nuk përfshin shpenzimet shtesë për sigurinë, protokollin, transportin diplomatik dhe stafin teknik të qeverisë.
Fëmijët si dekor për propagandë
Në një tjetër akt të diskutueshëm moral, qeveria ka përdorur fëmijë nga shkollat publike si dekor simbolik për ngjarjen, duke i nxitur të bëjnë piktura për Bashkimin Europian. Në vend që këto punime të shërbenin për edukim publik, janë përdorur për të stolisur ambientet e kontenierëve të qiramarë, që do të presin liderët në “sheshin e investimeve emergjente”.
Ky veprim, përveçse etikisht i diskutueshëm, është edhe simbolik për mënyrën se si përdoren qytetarët dhe sidomos fëmijët, në shërbim të propagandës shtetërore.
Samiti i turpit financiar?
Nëse Shqipëria kishte ndonjë shpresë të projektonte seriozitetin dhe përkushtimin e saj ndaj BE-së, e ka shuar me këtë festë të shpenzimeve pa hesap. Në vend të një organizimi dinjitoz dhe transparent, kemi një paradë luksi të dyshimtë, ku tenderët janë bërë për kompani të njohura, shumat janë të fryra, dhe askush nuk mban përgjegjësi për përfitimet që rrjedhin nga këto procedura.
Publik.al i bën thirrje institucioneve të kontrollit, përfshirë KLSH-në, Prokurorinë dhe SPAK-un, që të nisin një hetim të plotë për çdo tender të shpallur nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare në lidhje me Samitin e BE-së më 16 maj. Asnjë “dhuratë” nuk justifikon grabitjen e parasë publike.