Sekretari i Përgjithshëm, Engjëll Agaçi drejt largimit nga Kryeministria?!

Njëri prej njerëzve më të pushtetshëm dhe më të rëndësishëm me të cilin Edi Rama ka qeverisur që prej vitit 2013-të është drejt largimit nga Qeveria. Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë dhe njeriu që ka lëvizur shumë fije të pushtetit në prapaskenë, prej muajsh është ftohur me Edi Ramën.

Konflikti i Kryeministrit me Agaçin ka nisur që para zgjedhjeve të 25 prillit dhe shkak i kësaj përplasjeje dyshohet se është gjyqi i humbur në Arbitrazh me biznesmenin kontravers italian, Francesco Becchetti.

Ka dyshime se roli i Engjëll Agaçit në këtë proces gjyqësor ka qenë sabotues ndaj interesave të shtetit shqiptar dhe kjo konfirmohet edhe nga burime konfidenciale me peshë brenda kabinetit qeveritar. Të njëjtat burime shpjegojnë pikërisht me këtë arsyetim “ftohjen drastike”, sipas tyre, mes Engjëll Agaçit dhe Edi Ramës pas humbjes së këtij gjyqi në Arbitrazhin e Bankës Botërore në Uashington.

Shqipëria u ndëshkua me rreth 100 milionë euro plus interesat në betejën ligjore me Francesco Becchetti-n. Kësaj shume u shtohen edhe mijëra eurot e tjera të shpenzuara për zyrat e avokatisë të kontraktuara për të organizuar mbrojten në ICSID në fazën finale të gjyqit.

Por, as kontraktimi i zyrave të avokatisë më me peshë në Perëndim nuk e kanë kthyer vendimin e gjykatës. Shkak për këtë është bërë dosja mbrojtëse fillestare, që sipas akuzave ndër vite është hartuar keq dhe në mënyrë amatoreske nga pala shqiptare.

Vendimi i ICSID u publikua pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit dhe ka dyshime se në këtë proces, mbrojtja e interesave të qytetarëve shqiptarë është sabotuar pikërisht nga Engjëll Agaçi.

Jozyrtarisht, ftohja e raporteve mes Ramës dhe Engjëll Agaçit konfirmohet edhe nga lëvizjet e shumta të Sekretarëve të Përgjithshëm të ministrive pas zgjedhjeve të 25 prillit. Shumica e atyre që u larguan nga këto poste njiheshin si njerëz të besuar të Engjëll Agaçit.

Përveç dosjes Becchetti, Engjëll Agaçi ishte strumbullari i një tensioni në rritje brenda qeverisë, ku së fundmi ka pasur edhe një pjesë të mirë të ministrave kundër. Shkak dyshohet se janë intrigat e përdorura nga Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë për të realizuar interesat e tij.

Largimi i Agaçit nënkupton pastrimin më të thellë dhe më të fortë që Edi Rama i bën Qeverisë së tij. Njoftimi i largimit mund të bëhet ditën e mërkurë, kur Edi Rama do të mbledhë ministrat e kabinetit qeveritar për llogaridhënie për punën e kryer në 100 ditët e para të Qeverisjes.

Një burim i yni , thotë se faktikisht Agaçi është i larguar nga detyra dhe mbetet vetëm largimi edhe ligjërisht i tij. Burimi tha se të gjitha funksionet dhe detyrat e Engjëll Agaçit i kanë kaluar një prej drejtoreve që Edi Rama e ka të besuar. Bëhet fjalë për Elira Kokonën, që perceptohet edhe si kandidatja kryesore për të zënë vendin e Sekretares së Përgjithshme të Qeverisë.

Sa për Engjëll Agaçin, largimi nga Qeveria e këtij të fundit do t’i japë më shumë kohë që të shijojë darkat e përjavshme te Restorant Giovanni nën shoqërinë e ish-Kryeministrit Fatos Nano, me të cilin mund të shtjellojë deri në fund intrigat, siç e akuzojnë ministrat.

Ndryshimi është se këtë herë intrigat nuk do të lidhen me qeverisjen, as me pushtetin dhe rrjedhimisht as me problemet e interesat e shqiptarëve. Ato mund të lidhen me cilësinë e peshkut dhe të verës, që Engjëll Agaçi konsumon çdo fundjavë në shoqërinë e Fatos Nanos.

Publikuar nga Publik Media