Kryebashkiaku i Newark, qyteti më i madh i New Jersey-t, Ras Baraka — i cili është gjithashtu kandidat për guvernator me Partinë Demokratike — u arrestua nga agjentët federalë gjatë një proteste të mbajtur në një qendër paraburgimi për emigrantë, pas një përplasjeje ku u përfshinë edhe tre anëtarë të Kongresit të SHBA-së.
Nuk është ende e qartë nëse Baraka është arrestuar zyrtarisht dhe vendndodhja e tij aktuale mbetet e panjohur pasi u prangos në vendngjarje. Sipas Politico, Alina Khaba — këshilltare e ish-Presidentit Donald Trump dhe aktualisht prokurore e përgjithshme e New Jersey-t — konfirmoi arrestimin e tij.
Ngjarja ndodhi pranë objektit të paraburgimit Delaney Hall, në një skenë të tensionuar që përfshiu protestues, agjentë federalë dhe tre përfaqësues të Kongresit: Bonnie Watson Coleman, Rob Menendez dhe LaMonica McIver, të cilët ishin atje për të kërkuar një inspektim të qendrës.
Qendra, me kapacitet për 100 shtretër, u rihap këtë muaj për të strehuar emigrantë të ndaluar. Bashkia e Newark ka paditur kompaninë private që menaxhon objektin, GEO Group, duke pretenduar se operon pa leje dhe nuk i është nënshtruar inspektimeve të nevojshme. Kompania mohon akuzat.
Në një postim në platformën X, Alina Khaba shkroi: “Kryebashkiaku i Newark-ut, Ras Baraka, hyri pa leje dhe injoroi paralajmërimet e shumta nga agjentët e Sigurisë Kombëtare për t’u larguar nga qendra e ICE-së në Newark. Ai zgjodhi të injorojë ligjin me vetëdije. Kjo nuk do të tolerohet. Ai u mor në paraburgim. Askush nuk është mbi ligjin.”
Incidenti nisi pasi Baraka u lejua të hynte në parkingun e siguruar të objektit, por më pas iu kërkua të largohej. Në atë moment, tre përfaqësuesit e Kongresit, që ndodheshin brenda ndërtesës, dolën jashtë përballë kërcënimeve të autoriteteve për të arrestuar kryebashkiakun — një kandidat aktiv për postin e guvernatorit të shtetit.