Shefja e ASHK Lezhë, detyron stafin të punojë për Bajram

ASHK Lezhë punon në Kurban Bajram:

Publik.al | Investigim denoncues | 6 Qershor 2025

Një rast flagrant abuzimi me të drejtat e punonjësve ka ndodhur në Zyrën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Lezhë, ku punonjësit janë detyruar të paraqiten në punë sot, më 6 qershor, ditë zyrtare pushimi me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Sipas burimeve të sigurta të Publik.al, shefja e sektorit në ASHK Lezhë, znj. Esmeralda Prenga, ka urdhëruar në mënyrë arbitrare që i gjithë stafi të jetë i pranishëm në punë, pavarësisht statusit të kësaj dite si festë kombëtare dhe fetare, të garantuar me ligj si ditë pushimi.

Denoncimi i punonjësve është i qartë:

“Mirëmbrëma. Nesër është festë zyrtare – Kurban Bajrami. Por tek ASHK në Lezhë duhet të dalim në punë. Shefja jonë e sektorit (Esmeralda Prenga) na bën presion me arrogancë, përveç kësaj edhe ofendon pjesën fetare dhe përdor ndikimin politik për të na frikësuar. Në orën 21:30 të darkës së kaluar dërgoi SMS ku na detyron të paraqitemi në punë, kur të gjithë kishim bërë plane familjare.”

Ky veprim, përveçse shkel Kodin e Punës dhe vendimet zyrtare të Këshillit të Ministrave mbi festat zyrtare, përbën shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, të lirisë fetare dhe të dinjitetit të nëpunësve civilë.

Punonjësit e ASHK-së në Lezhë raportojnë gjithashtu se shefja i ka fyer përkatësitë e tyre fetare dhe ka përdorur presion politik, duke u bërë të ditur se “nuk do t’ju njihen ditët e punës” dhe se “vendet e punës janë të lidhura me bindjet politike”.

Çfarë thotë ligji?

  • Neni 84 i Kodit të Punës përcakton se punëdhënësi nuk mund të detyrojë të punuar në ditë pushimi pa marrëveshje paraprake dhe kompensim.
  • Vendimi i Këshillit të Ministrave për festat zyrtare e klasifikon Kurban Bajramin si ditë pushimi për të gjithë punonjësit, pavarësisht nëse janë besimtarë apo jo.
  • Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 10 dhe 24, garanton lirinë fetare dhe mosdiskriminimin për shkak të bindjeve fetare.

Kërkesa për hetim dhe reagim institucional

Punonjësit i kanë bërë thirrje institucioneve përkatëse  përfshirë Inspektoriatin e Punës dhe Avokatin e Popullit  që të nisin një hetim të menjëhershëm administrativ dhe të ndalojnë kërcënimin dhe abuzimin me pozitën nga ana e shefes së sektorit, znj. Esmeralda Prenga.

Ky rast është simptomë e arrogancës administrative, ku drejtues vendorë abuzojnë me autoritetin, në mungesë të plotë transparence dhe kontrolli institucional.

Publikuar nga Publik Media