Shehaj: Ergys Agasi kontrollonte shtetin për llogari të Edi Ramës

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

“Kryeministri duhet të japë dorëheqjen”

Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar në rrjetet sociale ndaj një deklarate të kryeministrit Edi Rama, pas një pyetjeje të bërë nga një gazetar italian lidhur me biznesmenin Ergys Agasi. Ky i fundit është tashmë i akuzuar nga SPAK si drejtues i një grupi kriminal, që në bashkëpunim me drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karaçanaj, dyshohet se ka abuzuar me tendera publikë dhe ka përfituar shuma të mëdha parash.

Sipas Shehajt, zbardhja nga SPAK e skemës së veprimit të Agasit, i cili dyshohet se kishte nën kontroll administratën shtetërore dhe të dhëna sensitive të qytetarëve shqiptarë, shpjegon edhe reagimin e kryeministrit sa herë që i përmendej emri i biznesmenit.

Kreu i “Mundësia” shprehet se tashmë është e qartë për këdo se Ergys Agasi ka vepruar si “njeriu në hije” i Edi Ramës, duke ushtruar pushtet të madh pa pasur asnjë funksion zyrtar. Sipas tij, zyrtarë të ndryshëm raportonin dhe merrnin udhëzime pikërisht nga Agasi, i cili koordinonte veprimet në emër të kryeministrit.

“Agasi ishte projektuar të ishte njeriu kyç, ai që nuk duhej të dukej, por që kishte pushtet të jashtëzakonshëm për të gjitha aferat. Nuk mund të ishte vetë Edi Rama ai që t’u jepte urdhra drejtorëve, ministrave apo zëvendësministrave për tendera, ndaj kishte ndërtuar ‘njeriun-hije’,” shprehet Shehaj.

Ai shton se reagimi nervoz i kryeministrit ndaj pyetjeve të gazetarëve lidhet me faktin se tashmë kjo skemë është ekspozuar publikisht dhe është bërë e qartë se për llogari të kujt vepronte Agasi.

Duke iu referuar edhe një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Shehaj kujton reagimin e Ramës ndaj gazetarit italian, ku kryeministri i kërkonte të “mos ulte nivelin e gazetarisë” dhe të mos përmendte emrin e Agasit, duke e cilësuar atë si një njeri që “është në punën e vet”.

Sipas Shehajt, rënia e kësaj “perdeje” e ka ekspozuar kryeministrin para publikut dhe ka nxjerrë në pah lidhjet e tij me korrupsionin. Për këtë arsye, ai kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Edi Rama nuk mund të vazhdojë më të jetë kryeministër i Shqipërisë. Duhet të japë dorëheqje sa më shpejt dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme,” përfundon Shehaj.

Video-mesazhi i Agron Shehaj:

Dëgjoni se si Edi Rama mbronte Agasin kur e pyeste gazetari italian:

“Mos e ul nivelin e gazetarisë” i thoshte, “ai është në punën e vet, ai nuk është këtu dhe nuk mund të mbrohet, mos mbani njerëzit në gojë kot”.

Kjo ishte përgjigja e Edi Ramës.

Edi Rama ishte kapur shumë ngushtë sepse Agasi ishte projektuar për të qenë ‘njeriu në hije’ pa asnjë post, pa asnjë lidhje zyrtare me Edi Ramën por me një pushtet të jashtëzakonshëm. Prandaj të gjithë shkonin edhe jepnin llogari te Agasi dhe merrnin urdhrat nga Agasi, koordinoheshin nga ai.

Sepse atë kishte Edi Rama si njeriun kyç, ‘njeriun hije’ që asnjë nuk duhet ta njihte por që ishte njeriu i plotfuqishëm për të gjitha aferat e Edi Ramës Që mos të merrej vesh sepse nuk mund të ishte Edi Rama që t’i jepte urdhër një drejtori apo një ministri apo një zv.ministri që të jepte një tender.

Ai kishte ‘njeriun-hije’ dhe kjo e shqetësoi jashtë mase Edi Ramën dhe sot ne e kuptojmë sikletin e tij sepse doli haptas se çfarë pushteti kishte ai dhe për llogari të kujt punonte ai. Imagjinoni se si mundet një njeri të mbajë nën kontroll të gjithë administratën, të rrëmbejë qytetarë shqiptarë, të ketë në dispozicion të gjitha të dhënat e shqiptarëve. Kjo është arsyeja pse Edi Rama është zhdukur, kjo është arsyeja pse Edi Rama ka kyçur gojën.

Edi Rama nuk mund të vazhdojë më të jetë kryeministri i Shqipërisë.

Duhet të japë dorëheqje sa më shpejt dhe duhet të kemi sa më shpejt zgjedhje të parakohshme.

Publikuar nga Publik Media