Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka zhvilluar një takim me fermerin nga Divjaka, i cili pak ditë më parë u përball publikisht me kryeministrin Edi Rama gjatë një aktiviteti të Ministrisë së Bujqësisë për skemën kombëtare të mbështetjes për vitin 2026.
Pamjet nga ky takim u shpërndanë gjerësisht në media dhe rrjete sociale, duke u bërë virale për mënyrën arrogante me të cilën kryeministri iu drejtua fermerit, duke e ndërprerë dhe urdhëruar të ulej, në një moment kur qytetari po shprehte shqetësimin se fermerët janë “shtresa më e pambrojtur”.
Agron Shehaj e cilësoi të papranueshme sjelljen e kryeministrit ndaj një qytetari që kërkonte thjesht të dëgjohej.
“Sot erdha të takoj fermerin nga Divjaka, sepse ishte e pafalshme që Kryeministri i vendit as nuk e dëgjoi dhe me arrogancë i thoshte ‘Ulu, ulu!’. Ky është një njeri i punës, jo një armik politik”, u shpreh Shehaj.
Gjatë bisedës, fermeri – i quajtur Lili – foli hapur për vështirësitë e përditshme me të cilat përballen fermerët shqiptarë: mungesën e subvencioneve reale, pamundësinë për të konkurruar me produktet e importuara dhe faktin që prodhimet vendase shpesh mbeten stok ose hidhen pa u futur në treg.
Shehaj theksoi se historia e Lilit nuk është një rast i izoluar, por përfaqëson realitetin e qindra fermerëve në të gjithë vendin.
“Erdha ta dëgjoj Lilin, që përmes tij të dëgjohet zëri i qindra fermerëve. Mundi i tyre shkon dëm, ndërsa fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë përfundojnë te miqtë e pushtetit”, deklaroi kreu i Partisë Mundësia.
Në një pjesë të bisedës, fermeri ngriti akuza të drejtpërdrejta për mënyrën se si ndahen fondet IPARD, duke pretenduar se shumica dërrmuese e tyre përfundojnë te pushtetarët dhe njerëzit e lidhur me ta.
Fermeri shprehet se:
-
fondet IPARD nuk përfundojnë te fermerët realë;
-
rreth 80% e tyre, sipas tij, përfitohet nga pushtetarë;
-
pjesa e mbetur shkon vetëm për fermerë që kanë lidhje apo njohje politike.
“Shikoje listën e AZHBR-së, 80% i kanë pushtetarët”, rrëfen fermeri, duke shtuar se pikërisht këto fjalë ishin ato që nervozuan kryeministrin gjatë takimit publik.
“‘Ule zërin, ulu’, vetëm këtë thoshte”, kujton ai.
Agron Shehaj vlerësoi guximin e fermerit për t’ia thënë këto shqetësime drejtpërdrejt kryeministrit dhe u bëri thirrje qytetarëve që të mos heshtin përballë arrogancës së pushtetit.
“Kryeministri ka halle të tjera dhe s’ka kohë për fermerët. Por ky zotëri meriton respekt, sepse u ngrit dhe tha të vërtetën. Këtë duhet të bëjnë të gjithë qytetarët”, theksoi Shehaj.







