Shembet rruga kryesore, banorët në Labovën e Madhe në rrezik

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Banorët e Labovës së Madhe po përballen me një situatë shqetësuese që lidhet me infrastrukturën rrugore. Rruga kryesore e fshatit është dëmtuar rëndë, duke u kthyer në një burim real rreziku për jetën dhe sigurinë e komunitetit.

Sipas një denoncimi të ardhur nga një banore e zonës, segmenti rrugor është i mbushur me çarje të thella dhe pjesë të shembura, çka e bën pothuajse të pamundur kalimin normal si për automjetet, ashtu edhe për këmbësorët. Lëvizja në këtë rrugë është kthyer në një sfidë të përditshme, ndërsa rreziku për aksidente është gjithnjë prezent.

Shqetësimi bëhet edhe më i madh kur bëhet fjalë për kategori të ndjeshme si fëmijët dhe të moshuarit, të cilët përballen me vështirësi serioze për të lëvizur. Po ashtu, mungesa e një rruge funksionale rrezikon drejtpërdrejt reagimin në raste emergjente, pasi ndërhyrja e shpejtë e ambulancave apo zjarrfikësve bëhet praktikisht e pamundur.

Pamjet e siguruara nga banorët tregojnë qartë gjendjen kritike të asfaltit, me dëmtime të theksuara që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Sipas tyre, çdo vonesë vetëm sa rrit rrezikun për incidente të rënda.

Në mesazhin e saj, qytetarja i bën apel mediave dhe institucioneve që të reagojnë:

“Rruga kryesore është pothuajse e pakalueshme dhe përbën rrezik serioz për të gjithë. Situata është alarmante, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit. Në rast emergjence, aksesi është shumë i vështirë. Kërkojmë ndërhyrje urgjente nga autoritetet përgjegjëse.”

Banorët e Labovë e Madhe i bëjnë thirrje institucioneve lokale dhe qendrore që të marrin masa të menjëhershme për rikonstruksionin e rrugës, duke e konsideruar situatën si emergjencë që prek drejtpërdrejt sigurinë publike.

Publikuar nga Publik Media