Mbledhja e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë u tensionua dje mes Erion Braçes dhe Agron Shehajt, ku debatet u përqendruan tek skema e kompensimit dhe subvencioneve për fermerët.
Kreu i Partisë “Mundësia”, Shehaj, deklaroi se mbledhja po kthehet në teatër, duke akuzuar mazhorancën për vjedhjen e parave që mund të përdoren si subvencione:
“Nuk e kuptoj pse i bëjmë gjërat e vështira kot. Pse kushton më pak të importosh produktin jashtë? Sepse shtetet e tjera subvencionojnë fermerët. U japin para, nuk e kanë fajin ata.
Këtu paratë vidhen. Nëse 190 mln euro nuk do ishin harxhuar, por do të ishin shpenzuar 150 për tunelin e Llogarasë, 50 mln euro do të kishit mundësi t’ua jepnit fermerëve. Dhe këtu bëhet fjalë për vetëm një tender. Paratë që mund t’u shkojnë fermerëve ju si mazhorancë i vidhni, mos bëni teatër. Diskutime të tilla bëjini në grupin parlamentar të PS.
Zonja kryetare më ndërprerë fjalën, mbani mungesat e thoni kush do flasë më shumë. Mos e bëni këtë komision më shumë qesharak seç është.”
Reagimi i Braçes nuk vonoi:
(Përplas tavolinën) “Nuk mund të vish këtu e të na fyesh ne. Qepe të them.”
Në këtë moment, kryetarja e komisionit, Milva Ekonomi, ndërpreu mbledhjen. Pas rifillimit, Braçe sqaroi arsyen e reagimit të tij, duke akuzuar Shehajn se përpiqet të krijojë situata ku fyhen anëtarët e komisionit për dy minuta protagonizëm:
“E dyta herë që kemi një situatë të tillë nga deputeti Shehaj, në çdo gërmë të tij ka fyerje për të ftuarit apo anëtarët e komisionit. Nuk mundet që të fyhemi, unë nuk kam bërë teatër, vetëm kam sjellë argumente dhe llogari. Kjo nuk të bën as qesharak, as kopësht, asgjë. Të vish këtu vetëm për të prodhuar një sekuesncë 2 minuta për të nxjerrë vetëm ideolog të madh dhe i ndryshëm nga dy forca politike që po i marrkan frymën Shqipërisë, nuk fiton diçka më tepër.”
Sipas Braçes, që nga fillimi i mbledhjes, diskutimi ka qenë i fokusuar te detajet teknike dhe politikat ku mbështeten, por tensionet mes dy deputetëve e kthyen mbledhjen në një debat të nxehtë politik.







