Sipas raporteve të partnerëve ndërkombëtarë dhe informacionit të konfirmuar nga burime të sigurisë, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) nën drejtimin e Vlora Hysenit ka degraduar në një strukturë klienteliste, duke devijuar misionin kushtetues të mbrojtjes së sigurisë kombëtare për t’u kthyer në instrument politik në duart e kryeministrit Edi Rama dhe rrethit të tij të ngushtë.
Sipas një dosjeje të siguruar nga “Pamfleti”, pas zgjedhjeve të 11 majit 2025, Vlora Hyseni në bashkëpunim me një grup të besuar të stafit të saj, ka ngritur një njësi operative të posaçme, e përbërë nga 38 agjentë të përzgjedhur, me detyrë të monitorojnë dhe ndërhyjnë kundër gazetarëve, biznesmenëve dhe politikanëve që konsiderohen si “rebelë problematikë” nga vetë kryeministri.
Në listën e objektivëve të kësaj njësie janë përfshirë:
-Drejtues mediash që nuk janë në linjë me propagandën qeveritare
-Biznesmenë që nuk i janë nënshtruar klientelizmit
-Politikanë të brendshëm dhe të jashtëm të PS-së, të cilët shihen si rrezik për projektin e kontrollit absolut të pushtetit.
Ky grup operativ, sipas të dhënave, jo vetëm gjurmon fizikisht këta persona, por ka urdhër të përgatisë dosje të fabrikuara, të montojë “prova” dhe t’i kanalizojë ato drejt institucioneve të tjera; si Policia e Shtetit, Drejtoria e Antikrimit dhe organet e drejtësisë, duke përdorur emrin e SHISH si mbulesë për akte të paligjshme.
Por jo të gjithë agjentët kanë pranuar të jenë pjesë e këtij operacioni. Nga 38 agjentët e përzgjedhur:
13 agjentë kanë refuzuar urdhrin, duke e cilësuar veprimin si shkelje të ligjit dhe të betimit profesional.
Ata janë kërcënuar me shkarkim, kallëzim penal dhe ndjekje për “shkelje të detyrës dhe betimit”.
U është kërkuar të firmosin deklarata heshtjeje nën presion, të shoqëruara me paralajmërimin se nëse skandali del në publik, do përballen me akuza për “nxjerrje sekreti shtetëror”.
Sipas ligjit për SHISH, çdo agjent është i detyruar të ruajë konfidencialitetin vetëm për operacione që zhvillohen brenda kuadrit ligjor të sigurisë kombëtare. Por përdorimi për qëllime klienteliste dhe politike e shkel drejtpërdrejt këtë parim, duke e kthyer një agjenci shtetërore në vegël të frikës dhe kontrollit personal të qeverisë.
Ky nuk është rasti i parë për Vlora Hysenin. Në periudhën kur ajo drejtonte shërbimin sekret të Kosovës, u akuzua për keqpërdorim të inteligjencës në favor të klanit Thaçi dhe kundër qeverisë Kurti, çka solli shkarkimin e saj pas ndërhyrjes së Komisionit Parlamentar për Siguri në Kosovë.
Tani, ajo po eksporton të njëjtën praktikë në Shqipëri, nën urdhrat e Edi Ramës, me qëllim ndërtimin e një strukture inteligjente që nuk ruan më vendin nga armiqtë, por përdoret për të gjurmuar kritikët, mediat e pakta të lira dhe figurat që nuk i përkulen pushtetit.
Në një shtet demokratik, një akt i tillë do të përbënte shkelje flagrante të Kushtetutës dhe sigurisë kombëtare. Në Shqipëri, për momentin, është thjesht një tjetër episod në teatrin e kapjes totale të shtetit nga një njeri dhe rrethi i tij i besuar./ Pamfleti