Shqipëria, çerdhe e pastrimit të parave

AIF alarmon: 234 raste të dyshuara vetëm në 2024

Shqipëria po fundoset gjithnjë e më thellë në batakun e pastrimit të parave, duke u shndërruar në një parajsë për aktivitetet financiare të dyshimta. Raporti vjetor i Agjencisë së Inteligjencës Financiare (AIF) për vitin 2024 ka identifikuar 234 raste të dyshuara për pastrim parash, një shifër alarmante që ekspozon përmasat e një fenomeni që nuk njeh frena.

Ndërtimi mbetet sektori më i preferuar për të kanalizuar fondet e krimit, ndërkohë që Departamenti Amerikan i Shtetit ka ngritur vazhdimisht alarmin për Shqipërinë si një vend me risk të lartë për pastrim parash.

Sipas raportit të AIF, shumica e rasteve janë referuar tek strukturat më të larta të drejtësisë, përfshirë SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë në prokuroritë e rretheve dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit.

Po ashtu, 25 raste janë dërguar në Drejtoria e Tatimeve, për shkak të dyshimeve të qarta për evazion fiskal, fshehje të të ardhurave apo mashtrime të tjera financiare.

Në mesin e të dyshuarve, sipas burimeve të raportit, ndodhet edhe një ish-zyrtar i lartë i drejtësisë, çka ka ngritur në mënyrë dramatike shqetësimin për komprometimin e institucioneve që teorikisht duhet të jenë në vijën e parë të betejës kundër krimit financiar.

Raporti zbardh gjithashtu një sërë skemash të sofistikuara për pastrimin e fondeve të pista, si:

  • Transferta të dyshimta pa mbështetje dokumentare
  • Investime në pasuri të paluajtshme me burime të pashpjegueshme
  • Blerje makinash luksoze e bizhuterish në emër të personave me të ardhura modeste
  • Rritje të pashpjegueshme kapitali në biznese
  • Dhurata dhe huadhënie fiktive mes palëve të lidhura fiktivisht
  • Përdorim i personave të tretë për të fshehur origjinën e fondeve

Në një pjesë të konsiderueshme të rasteve, për shkak të natyrës së ndjeshme, informacionet janë ndarë edhe me Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH). Janë referuar 116 raste që përkojnë me interesa të përbashkëta ndërmjet AIF dhe SHISH.

Ky raport tronditës ekspozon jo thjesht një krizë të sistemit financiar, por një kërcënim serioz ndaj shtetit ligjor dhe rendit demokratik. Kur fondet e krimit futen në ekonomi me aq lehtësi dhe kur vetë institucionet e drejtësisë preken nga dyshimet, pastrimi i parave nuk është më thjesht një çështje ligjore: është një kërcënim për vetë ekzistencën e një shteti funksional.

Publikuar nga Publik Media