Shqipëria, destinacion i preferuar për italianët

 

TIRANË – Rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera shqiptare janë mbushur me gjuhën italiane, duke reflektuar një trend në rritje të vizitorëve nga Italia. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, gjatë 11-mujorit të vitit 2024, Shqipërinë e kanë vizituar gati 1.2 milionë shtetas italianë, një rritje prej 33.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Italianët përbëjnë rreth 20% të numrit total të turistëve shtesë, duke qenë grupi me rritjen më të madhe në numër, dhe zënë vendin e dytë pas vizitorëve nga Kosova, me 10% të totalit të hyrjeve në Shqipëri. Në muajin nëntor, Shqipërinë e vizituan mbi 73 mijë turistë italianë, duke shënuar një rritje prej 22.7% krahasuar me nëntorin e vitit 2023.

Ndërkohë, një tjetër grup i rëndësishëm, turistët nga Polonia, shënuan një rënie prej 20% gjatë muajit nëntor. Megjithatë, për 11-mujorin e vitit, polakët kanë regjistruar një rritje mbresëlënëse prej 67.7% krahasuar me vitin 2023, duke e bërë Poloninë një treg gjithnjë e më të rëndësishëm për turizmin shqiptar. Ky grup, që preferon kryesisht zonën e Golemit, udhëton në mënyrë të organizuar dhe pritet të ruajë një trend pozitiv edhe në 2025.

Kosova shtyllë e turizmit shqiptar, por me rritje të ngadaltë

Vizitorët nga Kosova vazhdojnë të mbajnë peshën kryesore të turizmit në Shqipëri, por për 11-mujorin e vitit 2024 regjistruan një rritje modeste prej 0.9% krahasuar me vitin 2023. Liberalizimi i vizave dhe zhvlerësimi i euros kanë ndikuar në këtë ngadalësim, ndërsa perceptimi për çmime të larta gjatë verës ka reduktuar rezervimet.

Rritje nga Europa dhe turizmi kulturor

Vjeshta e vitit 2024 ka sjellë një rritje të vizitorëve nga vende si Franca, Gjermania dhe Austria, të cilët janë kryesisht të interesuar për turizmin kulturor dhe historik. Ky segment po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm jashtë sezonit të verës.

Në total, Shqipërinë e vizituan 11.7 milionë të huaj gjatë vitit 2024, një rritje prej 15.2% krahasuar me vitin 2023. Me kontrata të reja garancie për vitin 2025, pritshmëritë për një tjetër vit rekord për turizmin shqiptar janë të larta, me një rritje të parashikuar deri në 25% për grupe të caktuara.

Publikuar nga Publik Media