Isa Bajrami
Mbrëmë, duke u lutur për paqe në botë, pak para se i madhi Trump të shpallte arritjen e armëpushimit, dhe pak pas rënies së tërmetit, një yll u shkëput nga qielli. Për një çast mendova se mund të ndodhë që ndonjë galeri miniere në malet shqiptare, e braktisur që nga koha e monizmit, mund të konceptohet si central bërthamor nga ndokush dhe mund të lëshoj ndonjë predhë mbi të, duke na dëmtuar imazhin si vend në këtë sezon turistik.
Gjithsesi, pas pak e mblodha veten, sepse s’kisha arsye të shqetësohesha shumë, kur Izraeli s’ka asnjë arsye të na sulmojë neve, pasi ne nuk kemi as ambasadë iraniane në vendin tonë. Po ashtu, as Irani nuk na merr seriozisht për të na sulmuar, edhe pse ne strehojmë opozitën e atij vendi, ndërkohë që, njëkohësisht, duam të eliminojmë opozitën tonë, kohë pas kohe.
Gjithsesi, alarmi që paralajmëronte përplasjen e njëpasnjëshme të mendimeve të mia, s’po më linte të flija. Vazhdova të mendoj se ne jemi populli më paqësor në botë, sepse jo vetëm që nuk kemi sulmuar asnjë vend apo shtet tjetër, por kemi ndërmend të krijojmë edhe një shtet teokratik brenda shtetit tonë.
Gjithashtu, mendoja se në vendin tonë jo vetëm që nuk ekzistojnë mundësitë për të qenë i suksesshëm për qëllime paqësore, por edhe nëse dikush do të donte të bëhej terrorist, do ta kishte të pamundur, sepse nuk kemi as metro, as tramvaj ku mund të vendosësh bomba. Madje, ne nuk arrijmë të bëjmë një kod të mirë zgjedhor, e jo më të shpikim formula për pasurimin e uraniumit.
Ne, në vendin tonë, të gjithë flasim për zhvillimet në Lindjen e Mesme, ndërkohë që kemi shkatërruar shtresën e mesme të shoqërisë sonë. Të gjithë flasin për avionët B2, ndërsa rinia jonë merr energji nga B52-shi. Flasim për pasojat që do sjellë mbyllja e ngushticës së Hormuzit, ndërkohë që detyrojmë qytetarët tanë të kalojnë klandestin lumin e Lamshit.
Jemi pro formimit të shtetit të madh izraelit, por s’bëjmë asgjë për bashkimin kombëtar. Ndërsa lufta Izrael-Iran filloi e po mbaron, tek ne ende nuk ka përfunduar numërimi i votave të zgjedhjeve të mbajtura pak kohë më parë. Pothuajse kemi mësuar edhe emrat e raketave më të sofistikuara dhe sa kushton prodhimi i tyre, por në jetën reale bëjmë llogaritë se sa kushton një shezllon në bregdet.
Ne shqiptarët i duam vendet e mëdha dhe të fuqishmit, por për vendin tonë s’bëjmë asgjë të madhe.
Pra, përveç këtyre konstatimeve krahasuese që thashë deri tani, nuk shoh ndonjë rëndësi tjetër për ne në luftën Iran-Izrael. Por nëse s’mund të bëjmë pa e komentuar këtë luftë, atëherë mund të shtoj këto: kjo luftë më duket thjesht një triumf i arsyes rracionale mbi popujt që fillimisht u islamizuan dhe sukseset që dikur i arritën përmes fesë i mitologjizuan, mirëpo asnjëherë nuk i ndërthurën me arsyen rracionale.
Prandaj, ato vende vazhdojnë të kenë të njëjtat probleme që kishin para 300 vjetësh. Ndaj, s’u mbetet gjë tjetër veçse të besojnë se raketat iraniane mund të bien mbi Izrael, duke përshkuar mbi 1 mijë kilometra në mënyrë të fshehtë, përmes zonave me baza ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme. S’e di si e besojnë këtë gënjeshtër, kur ne vetë s’mund të kalojmë nga Shqipëria në Kosovë pa paguar në traun e Kalimashit, e jo më të kalojnë raketat iraniane mbi bazat amerikane pa u ndjerë.
Po ju i besoni vërtet myslimanët kur shtiren sikur u dhemb shpirti për gjenocidin në Gaza? Nëse u besoni, atëherë më lejoni t’ju pyes: nga u ngritën avionët luftarak që shkatërruan Irakun? A nuk u ngritën nga territori ku sundon “sulltani”, Tayyip Erdoğan?
Po ashtu, a nuk duhet t’a kuptojmë “solidaritetin” midis shiitëve dhe sunnitëve në këtë luftë si binjakëzimi mes ekipeve të futbollit Shkumbini dhe Lazio?
S’e di kush doli i fituar nga kjo luftë Izrael-Iran; kohës i duhet dhënë kohë. Por nga sa kuptoj unë, të fituarit s’do jenë myslimanët. Ata nuk mund të jenë fitues, kur s’e kanë fituar as luftën me veten e tyre, duke kapërcyer ndasitë mes tyre. Si mund të fitojë dikush kundër një tjetri, kur s’e ka fituar betejën me veten? Perëndimi e ka fituar luftën me veten.
Gjithsesi, edhe pse Trump shpalli armëpushimin, në të vërtetë kush e fitoi luftën do ta kuptojmë vetëm atëherë kur të shohim për kë do të këndojë grupi i Labërisë.
Por diçka duhet ta pranojmë të gjithë: me Trump, bota është më e sigurt, gjithsesi.