Shqipëria drejt humnerës së qytetërimit

Alarmi i Akademikut Artan Fuga

Akademiku i njohur Artan Fuga ka ngritur një alarm të fortë për shoqërinë shqiptare, duke deklaruar se vendi po përjeton rënien graduale të civilizimit dhe qytetërimit, për shkak të mungesës së një sistemi politik vetëkorrigjues.

Në një prononcim publik, Fuga theksoi se çdo sistem që nuk ka mekanizma të brendshëm për t’u përmirësuar dhe për të ndërruar pushtetin në mënyrë demokratike, është i destinuar të dështojë.

“Një sistem që nuk ka elementët e vetë-korrigjimit, pra pushteti që ndryshon në raportin pozitë-opozitë. Nëse kjo nuk bëhet, kjo makina që fshin pluhurat, kjo shkon përplaset me kokë te muri”, deklaroi ai.

Sipas tij, mungesa e rotacionit real politik dhe mungesa e alternativës politike që sfidon e korrigjon pushtetin aktual, po e shtyn Shqipërinë drejt një krize të thellë të vetë qytetërimit.

“Ose do të kemi një alternativë, ndryshim alternativash, korrigjim të njëra-tjetrës. Ose, nëse politika nuk e luan këtë rol, ne do shkojmë si civilizim me kokë te muri. Me votime, me debate në parlament, por që nuk prodhojnë asnjë korrigjim real të sistemit”, paralajmëroi Fuga.

Ai vuri në dukje se votimi në Shqipëri nuk funksionon më si një instrument i qytetarëve për të sjellë ndryshim dhe për të ndëshkuar dështimet e qeverisjes, çka e kthen procesin demokratik në një formalitet bosh, pa ndikim real në drejtimin e vendit.

“Qytetërimi jonë shkon drejt rënies. Kur do të ndodhë kjo? Pas 10, 15 apo 20 vitesh? Nuk mund ta them saktësisht. Por ne tashmë ndodhemi në kushtet e rënies së civilizimit të qytetërimit”, përfundoi akademiku.

Deklaratat e Fugës vijnë në një moment kur shqetësimet për kapjen e institucioneve, mungesën e balancave në pushtet dhe rënien e besimit qytetar në proceset demokratike, janë në qendër të debatit publik dhe politik.

Publikuar nga Publik Media