Ndërsa në Shqipëri politika flet për reforma në tregun e punës dhe rritje të kapaciteteve njerëzore, shifrat e publikuara nga Eurostat tregojnë një realitet krejtësisht të kundërt: vendi po humbet vazhdimisht forcën më të vlefshme të punës – profesionistët e kualifikuar. Europa, dhe në veçanti Gjermania, po bëhet gjithnjë e më shumë një magnet për trurin shqiptar, duke i pajisur këta individë me Kartën Blu – një leje pune dhe qëndrimi për ekspertët jashtë BE-së.
Që nga viti 2019 deri në fund të vitit 2023, shtetasit shqiptarë kanë përfituar 3495 Karta Blu nga vendet e Bashkimit Europian. Shifra është rritur ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme një sinjal alarmi për sistemin arsimor, shëndetësor dhe teknologjik të vendit, që shpenzon burime për të formuar profesionistë të cilët më pas largohen pa kthim.
Në vitin 2021, u regjistrua rekordi më i lartë 882 leje pune të dhëna për shqiptarë me kualifikime të larta, ndërkohë që në vitin 2012 numri i tyre ishte vetëm 15. Tendenca është e qartë dhe dramatike: Shqipëria po rrit eksportin e trurit në mënyrë të paqëndrueshme.
Gjermania është pa diskutim destinacioni kryesor i këtij emigrimi të profilit të lartë. Në vitin 2021, 93% e të gjitha Kartave Blu për shqiptarët në BE u dhanë nga Gjermania (823 nga 882), ndërsa në vitin 2023 kjo përqindje ishte 87% (716 nga rreth 820 gjithsej).
Arsyeja është e thjeshtë: Gjermania po përballet me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore, sidomos në sektorë kritikë si shëndetësia, teknologjia e informacionit, inxhinieria dhe kërkimi shkencor. Për këtë arsye, ky shtet ka zbutur kriteret për Kartën Blu dhe ofron kushte shumë të favorshme: pagë minimale vjetore 43,000 deri në 48,300 euro, të drejtën për bashkim familjar, dhe mobilitet brenda vendeve të BE-së.
Kjo është një ofertë që shumë profesionistë shqiptarë nuk mund ta refuzojnë.
Pas Gjermanisë, Italia është vendi i dytë që ka dhënë më shumë Karta Blu për shqiptarët, por me një diferencë të frikshme: vetëm 41 karta në 2023. Austria e ndjek me 30, ndërsa vende si Polonia, Belgjika dhe Franca ofrojnë numra të papërfillshëm.
Të dhënat e Eurostat konfirmojnë se emigrimi cilësor i shqiptarëve nuk është më një hipotezë, por një fenomen i dokumentuar, që po trondit strukturat socio-ekonomike të vendit.
Humbja e profesionistëve nuk është vetëm statistikë: është një kosto e drejtpërdrejtë për shoqërinë shqiptare. Çdo mjek që largohet, çdo inxhinier që shkon të punojë në Gjermani, përfaqëson një investim të humbur në arsim, një mungesë në shërbimet publike dhe një zinxhir dobësimi për tregun vendas të punës.
Edhe më alarmant është fakti se ky emigrim nuk po ndodh më vetëm përmes rrugëve informale, por përmes kanaleve të rregullta dhe të legalizuara, siç është Karta Blu një sinjal se Shqipëria nuk po arrin më as të konkurrojë me ofertat ligjore që ofron Europa për profesionistët e saj.
Në vend që të ndërtojë një politikë kombëtare për të ndalur këtë rrjedhje talentesh, qeveria shqiptare vazhdon të japë leje ndërtimi, të flasë për turizëm dhe “superinfrastrukturë”, ndërsa nuk po ndërmerr asnjë masë serioze për të përmirësuar kushtet e punës dhe jetesës për profesionistët.
Në të kundërt, Shqipëria do të vazhdojë të jetë një vend që formon trurin për t’ia dërguar Europës – falas.
Burimi: Eurostat, përpunim nga Publik.al
Ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi, do të vazhdojë të qëndrojë në burg,…
Para sfidës së Serbisë me Shqipërinë, trajneri Dragan Stojkoviç është në qendër të kritikave për…
Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), institucioni publik që financohet nga taksapaguesit dhe menaxhon tenderë me miliona…
Roela dhe Vedati, çifti që u njoh dhe dashurua në “Përputhen” kanë zbuluar se së…
Në foton që shihni janë dy të rinjtë që humbën jetën tragjikisht të dielën, më…
Që prej fillimit të vitit duket se ka një rivalitet të fortë (!) në lidhje…