Paga minimale më e ulët në Europë
Nëse dikush kishte ende shpresë se rritjet e “bujshme” të pagës minimale do ta çonin Shqipërinë drejt Evropës së zhvilluar, raporti i fundit i Eurostat për vitin 2025 vjen si një shuplakë realiteti: Shqipëria është sërish në fund të Europës për pagën minimale, sidomos kur vlerësohet sipas fuqisë reale blerëse.
405 euro. Ky është niveli “i ri” i pagës minimale në Shqipëri. Në pamje të parë, një shifër që mund të duket më optimiste se më parë. Por për kë jeton në këtë vend dhe paguan çdo ditë për bukën, qiranë, energjinë dhe një shishe vaj që shkon mbi 300 lekë, është një tallje. Në të vërtetë, sipas Eurostat, kjo shumë është më e pavlerë se kurrë më parë – një rritje në letër që bie për tokë sapo përballet me çmimet e tregut.
Sipas analizës së Eurostat, nëse hiqen nga ekuacioni kursi i këmbimit dhe luhatjet monetare, dhe përdoret një njësi matëse më reale – fuqia blerëse – Shqipëria zbulohet lakuriq: në fund të renditjes europiane. Më keq se Serbia, më keq se Mali i Zi, madje edhe Maqedonia e Veriut që ka pasur raportimin e fundit në vitin 2021. E thënë thjeshtë: paga minimale në Shqipëri nuk të nxjerr muajin, nuk të siguron mbijetesë, dhe nuk të jep dinjitet.
Ky është paradoksi shqiptar: rritje pa vlerë, shifra që gënjejnë dhe propagandë që flet për zhvillim, ndërkohë që realiteti është një tjetër. Në Bullgari – një tjetër vend i përfolur shpesh si më i varfri i BE-së – paga minimale është 551 euro. Po në Luksemburg? 2,638 euro. As nuk krahasohemi. Jo sepse Shqipëria nuk ka mundësi, por sepse mungon vullneti politik për të ndërtuar një ekonomi që shpërblen punën dhe jo servilizmin.
Dhe ndërkohë që në vendet e BE-së si Franca, Gjermania, Holanda dhe Irlanda, paga minimale është mbi 1,800 euro, në Shqipëri ende flasim për “sukses” me 405 euro. Por çfarë blen një shqiptar me këtë shumë? As gjysmën e një karte urbane mujore në Paris. Jo më shumë se dy thesë mielli, një faturë dritash në janar dhe ndoshta një vizitë tek dentisti – në rastin më të mirë.
Të pretendosh se 405 euro janë “shenjë zhvillimi” është ose naivitet, ose një përpjekje e mjerë për të ngopur sytë me statistika të lyer me shkelqim. Eurostat i zhvesh këto iluzione. Fuqia reale e asaj pagese është më e ulëta në Europë. Pra, një punëtor shqiptar që punon me orar të plotë, lodhet dhe rrezikon shëndetin, ka më pak mundësi për të jetuar mirë se kushdo tjetër në kontinent.
Po qeveria? Flitet për reforma, rritje ekonomike, investime të huaja. Por kjo nuk reflektohet në xhepin e qytetarit. Shporta ushqimore është bërë më e shtrenjtë se kurrë, çmimet europiane janë vendosur mbi rroga afrikane, dhe jetesa është kthyer në një garë për mbijetesë.
Për të mos folur për fenomenin e emigrimit. Çfarë të mbajë të rinjtë këtu? Një pagë minimale që të lë pa bukë në javën e tretë? Apo premtimi se në vitin tjetër do të shkojë në 420 euro, për të treguar sërish se jemi “në progres”?
Nëse Shqipëria do të ketë ndonjëherë një vend të merituar në Europë, nuk mjafton euroja në paga. Duhet të ketë fuqi reale blerëse, respekt për punën, dhe mbi të gjitha, ndershmëri në përballjen me realitetin.
Deri atëherë, çdo raport i Eurostat do të vazhdojë të na vendosë aty ku jemi: në fund të listës, në majë të varfërisë.