Shqipëria po mplaket: Lindjet bien me 26% në katër vite

INSTAT raporton rënie të fortë të lindjeve në të gjitha qarqet. Kukësi dhe Tirana në krye të listës së alarmit demografik. Ndërkohë, shteti vazhdon pa strategji reale për të ndalur zbrazjen e vendit.

Po kalojnë gati dy vite nga përfundimi i Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023 dhe Shqipëria ende nuk ka një shifër zyrtare për numrin aktual të banorëve. Në mungesë të kësaj të dhëne themelore për politikat publike, treguesit tërthorë si numri i lindjeve dhe emigracioni vijojnë të zbulojnë një realitet alarmant: vendi po përballet me një përkeqësim të shpejtë të profilit demografik.

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2025 kanë lindur vetëm 4,662 foshnja, një rënie prej 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa nëse krahasimi shtrihet në katër vite, që nga tremujori i parë i vitit 2021, lindjet janë ulur me 26% në të gjithë territorin.

Kukësi dhe Dibra: Dy qarqe në zhdukje

Zona më e prekur nga rënia e lindjeve është Kukësi. Pavarësisht se mbetet ndër qarqet me përqindjen më të lartë të popullsisë së re, Kukësi regjistroi rënien më të madhe në rang vendi, me -22% lindje në vetëm një vit. Në një situatë të ngjashme ndodhet edhe Dibra, ku emigracioni i lartë dhe varfëria kronike kanë çuar në një ulje drastike të natalitetit.

Tirana: Rritet popullsia, bien lindjet

Edhe kryeqyteti nuk i ka shpëtuar këtij trendi. Tirana, që përthith ende flukse të larta migracioni të brendshëm, renditet e dyta në vend për rënien e lindjeve, me -18% në tremujorin e parë të 2025. Rritja e çmimeve të banesave, kostoja e jetesës dhe modeli i jetës urbane me më pak fëmijë kanë ndikuar fuqishëm në uljen e fertilitetit në qarkun që mbart barrën më të madhe të zhvillimit ekonomik.

Jug dhe Bregdet: Plakje e qëndrueshme

Në qarqet jugore dhe bregdetare si Vlora, Gjirokastra dhe Berati, rënia e lindjeve është më e butë – njëshifrore – pasi këto zona prej vitesh përjetojnë emigracion të lartë dhe kanë tashmë një strukturë të plakur të popullsisë.

Rritje ekonomike pa fëmijë

Paradoksi i Shqipërisë së viteve të fundit është se rritja ekonomike nuk po shoqërohet me përmirësim të treguesve demografikë. Përkundrazi, vendi po zbrazet. Bonusi i bebeve, një ndër të vetmet masa të shpallura për nxitjen e lindjeve, mbetet në kuota simbolike: 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin dhe 120 mijë për të tretin – shifra që duken qesharake përballë kostos reale të rritjes së një fëmije në Shqipëri.

Në praktikë, çmimet e larta të banesave, arsimi privat i domosdoshëm dhe pasiguria në tregun e punës i detyrojnë shumë çifte të rinj të shtyjnë ose heqin dorë nga lindja e fëmijëve.

Shqipëria pa vizion demografik

Në një vend që ende nuk ka shpallur rezultatet përfundimtare të Censit të Popullsisë dhe që operon me statistika të pjesshme, qeveria vijon të mos ofrojë asnjë strategji afatgjatë për të ndalur rrëshqitjen drejt një krize të thellë demografike. Me lindje në rënie, emigracion në rritje dhe plakje progresive të popullsisë, Shqipëria po hyn në një spiral që rrezikon të mos jetë më thjesht statistikë, por fat i paracaktuar.

Publikuar nga Publik Media