Shqipëria po plaket me shpejtësi, çdo i treti qytetar është mbi 60 vjeç!
Jul 10, 2025 | Tirana | Publik.al
Shqipëria po zhy tet në një krizë të heshtur: popullsia po plaket me ritme alarmante, ndërsa të rinjtë po zhduken nga harta e vendit. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT për vitin 2024, gati një në tre shqiptarë është mbi 60 vjeç, një rritje dramatike krahasuar me një dekadë më parë.
🔴 691,788 qytetarë mbi 60 vjeç, ose 30% e popullsisë totale, janë regjistruar në vitin 2024. Në vitin 2011, kjo përqindje ishte vetëm 15%.
Në të njëjtën kohë, popullsia totale është tkurrur me 27 mijë banorë brenda një viti, duke zbritur në 2.36 milionë. Tkurrja më e madhe ka ndodhur në grupmoshën 0–29 vjeç, me mbi 30 mijë të rinj më pak – një dëshmi e trishtë e emigracionit masiv dhe rënies së lindshmërisë.
Grupi i të moshuarve mbi 85 vjeç është rritur gjithashtu, nga 36,840 në 39,996 vetë një indikator që tregon jetëgjatësinë në rritje, por që rëndon edhe më shumë mbi sistemin shëndetësor dhe skemat e pensioneve.
Pasojat: Një ekonomi që nuk e mban dot peshën
Rritja e numrit të pensionistëve, bashkë me uljen drastike të forcës së re punëtore, po e çon sistemin e pensioneve drejt kolapsit. Pak të rinj për të mbajtur shumë të moshuar, ndërkohë që skema e sigurimeve shoqërore rrezikon të bëhet e paqëndrueshme.
Shërbimi shëndetësor gjithashtu përballet me një sfidë të madhe: më shumë të moshuar do të thotë më shumë nevoja për kujdes afatgjatë dhe përballje me sëmundje kronike.
Ekspertët: Shqipëria po futet në një rrugë pa kthim
Demografët dhe ekonomistët e shohin këtë si një emergjencë kombëtare që kërkon politika të menjëhershme. Nxitja e lindshmërisë, kthimi i emigrantëve të rinj, dhe investimet në teknologji dhe kujdes për të moshuarit janë ndër masat më të përmendura.
Pa veprime të menjëhershme, Shqipëria rrezikon të bëhet një vend i boshatisur, me qytete fantazmë dhe ekonomi të paralizuar nga mungesa e fuqisë punëtore.