Shqipëria po ushqehet me importe!

Rritje alarmante e të gjitha importeve ushqimore

Albert Mero

Shqipëria po përballet me një sfidë të madhe ekonomike dhe sociale, pasi mungesa e prodhimit vendas dhe zhvillimi i turizmit kanë nxitur një rritje të paprecedentë të importeve të ushqimeve. Të dhënat e INSTAT për vitin 2024 tregojnë një rritje prej mbi 30% të importeve në disa kategori kryesore, duke reflektuar dobësinë e sektorit bujqësor dhe të agropërpunimit në vend.

Rritja e importeve të kafshëve të gjalla

Sipas statistikave, importet e kafshëve të gjalla u rritën me 35.5% në krahasim me vitin 2023, duke arritur në 32 mijë tonë. Kjo rritje është pasojë e dy faktorëve kryesorë:

1.Rënia e numrit të bagëtive në vend – Për shkak të plakjes së popullsisë dhe pakësimit të banorëve në zonat rurale, numri i bagëtive është përgjysmuar në dekadën e fundit.

2.Rritja e konsumit të mishit nga turizmi – Turizmi, sidomos agro-turizmi, ka rritur kërkesën për mish dhe bulmet, ndërkohë që prodhimi vendas nuk arrin të mbulojë këtë kërkesë.

Zarzavatet: Një tjetër tregues i varësisë nga importet

Në vitin 2024, importet e zarzavateve shënuan rritje me 29%, duke arritur në 61 mijë tonë nga 47 mijë tonë një vit më parë. Edhe pse prodhimi në sera është rritur, pjesa më e madhe e këtij prodhimi shkon për eksport. Ndërkohë, fermerët e vegjël, për shkak të falimentimit të ngastrave të vogla, janë kthyer në konsumatorë.

Turizmi shans i humbur për bujqësinë shqiptare

Në vend që të shërbente si një katalizator për zhvillimin e bujqësisë dhe industrisë, rritja e turizmit duket se ka thelluar varësinë e Shqipërisë nga importet. Gjatë vitit 2024, artikujt e lidhur me furnizimin e hoteleve dhe restoranteve u rritën deri në 50%, duke rënduar deficitin tregtar dhe ulur përfitimet ekonomike që turizmi mund të kishte për vendin.

A është turizmi gjithëpërfshirës në Shqipëri?

Përvojat e vendeve të tjera mesdhetare tregojnë se turizmi mund të jetë një motor zhvillimi për bujqësinë dhe sektorët e tjerë të lidhur. Megjithatë, Shqipëria ndjek një trajektore të kundërt. Në vitin 2024, bujqësia, sektori që kontribuon me mbi 18% të PBB-së, shënoi rënie me 2.5% në tremujorin e tretë, rënie më e fortë që nga fundi i vitit 2022.

Deficiti tregtar dhe humbja e potencialit ekonomik

Rritja e importeve dhe dobësia e prodhimit vendas po ndikojnë negativisht bilancin tregtar të vendit. Një pjesë e madhe e të ardhurave nga turizmi po shkon për importimin e mallrave të nevojshme, duke reduktuar ndjeshëm vlerën që mbetet brenda vendit.

Nëse Shqipëria nuk ndryshon qasjen ndaj zhvillimit të bujqësisë dhe lidhjes së saj me turizmin, do të vazhdojë të humbasë potencialin për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Të dhënat janë alarmante për  2024-ën.

Publikuar nga Publik Media