Si e humbi Shqipëria kapitalin njerëzor dhe shansin për të qenë pjesë e Europës që krijoi shpresë?!
Landi Çela
Në fillim të viteve ’90, shqiptarët kishin shumë ëndrra. Ata dolën nga diktatura si populli më i varfër i Europës, por me një etje të jashtëzakonshme për liri, për dinjitet dhe për zhvillim. Tranzicioni nisi me një popull të ri, të etur për dije, me sytë nga Perëndimi dhe me shpresën se demokracia do të sillte mirëqenie dhe dinjitet.
Por realiteti tregoi një rrugë krejt tjetër.
Sipas të dhënave të FMN-së, në vitin 1990 Shqipëria kishte të ardhurat më të ulëta për frymë në të gjithë Europën – vetëm 2.948 dollarë ndërkombëtarë (të llogaritura sipas fuqisë blerëse). Prapa nesh nuk kishte më askënd. Më lart ishin edhe Polonia, Rumania e Bullgaria, shtete që dolën nga komunizmi në një situatë jo shumë më të mirë se ne. Por ndryshe nga Shqipëria, ato ndoqën një rrugë tjetër.
Tre dekada më pas, këto vende janë bërë anëtare të Bashkimit Europian dhe kanë përparuar me hapa të mëdhenj. Polonia, për shembull, sot ka arritur 92% të mesatares së BE-së për të ardhurat për frymë. Rumania dhe Bullgaria ndodhen në intervalin 60-70%. Shqipëria? Ende në fund të tabelës. Në vitin 2024, jemi në vetëm 34% të mesatares së BE-së, përpara vetëm Ukrainës, Moldavisë dhe Kosovës.
Po pse ndodhi kjo?
Pjesërisht sepse Shqipëria nuk bëri reformat që bënë fqinjët tanë lindorë. Sepse ne nuk investuam në arsim, në shkencë, në kapitalin tonë njerëzor. Sepse në vend të ndërtonim një klasë të mesme të fortë dhe të arsimuar, i detyruam njerëzit të emigronin.
Sot, jemi një nga vendet me nivelin më të lartë të emigracionit në botë në raport me popullsinë, gati gjysma e shqiptarëve jetojnë jashtë vendit.
Polonia ndërtoi shkolla, universitete, hapi qendra kërkimore. Ne hapëm call center dhe pika bastesh. Atyre iu kthyen truri dhe investimet. Neve na iku gjithçka që kishte pak dritë.
Shqipëria humbi një brez të tërë, që mund të ishte motori i transformimit. Në vend të meritokracisë, krijuam një sistem patronazhi politik, ku zhvillimi ishte privilegj, jo e drejtë. Administrata u mbush me militantë, jo me profesionistë. Reforma u bënë për sy e faqe, për konferenca shtypi, jo për qytetarët.
Edhe zgjedhjet që janë themeli i një demokracie, nuk kanë qenë asnjëherë të pakontestuara. Nuk jemi në gjendje as të nxjerrim rezultatin në kohë, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit na kanë lënë pas me gjithçka.
Në këtë errësirë, Europa është kthyer në dritën e vetme në fund të tunelit. Jo thjesht si një bashkim ekonomik, por si një projekt shprese, drejtësie dhe dinjiteti. Shqiptarët nuk shpresojnë në BE për subvencione. Shpresojnë sepse BE përfaqëson një sistem tjetër, ku nuk është partia që të jep vendin e punës, ku nuk duhet të njohësh deputetin për të marrë një shërbim, ku drejtësia nuk është selektive dhe ku puna shpërblehet.
Por edhe BE-ja nuk është një shkop magjik. Integrimi është proces, jo premtim elektoral. Është transformim i brendshëm, jo dekor për propagandë. Nëse nuk ndryshojmë thellë, nëse nuk i kthejmë vëmendjen njerëzve, dijes dhe dinjitetit, atëherë Europa do të mbetet një horizont që duket gjithmonë afër, por nuk e arrijmë kurrë.