Artan Lika
Një reflektim mbi mbështetjen ndërkombëtare për një regjim autoritar dhe pasojat afatgjata për demokracinë, stabilitetin dhe vetë Europën.
Më 16 maj 2025, Shqipëria po pret Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Europian (KPE) në Tiranë, një ngjarje që do të mbledhë 47 krerë shtetesh dhe qeverish, përfshirë drejtuesit e institucioneve kryesore europiane dhe ndërkombëtare. Për Shqipërinë, në pamje të parë, ky përfaqëson një moment kulmor simbolik të integrimit rajonal dhe pjesëmarrjes në tryezat e mëdha të vendimmarrjes kontinentale. Por në thelb, prania e liderëve europianë në një vend ku demokracia ka humbur kuptimin e saj bazik, ku korrupsioni është institucionalizuar dhe shteti funksionon si aparat privat i një klike politike të lidhur me krimin e organizuar, përbën një alarm moral dhe strategjik për të ardhmen e vetë Europës.
Normalizimi i autoritarizmit në emër të “stabilitetit”
Gjatë viteve të fundit, në emër të “stabilitetit” dhe të frenimit të ndikimit rus apo kinez në Ballkan, vendet kryesore të Bashkimit Europian kanë ndjekur një qasje gjithnjë e më tolerante ndaj deformimeve demokratike në Shqipëri. Ata kanë përshëndetur dhe mbështetur vazhdimisht një qeveri që ka minuar lirinë e medias, ka kapur sistemin e drejtësisë, ka zhdukur opozitën reale nga institucioni parlamentar dhe ka organizuar zgjedhje me standarde të diskredituara, siç dëshmon edhe raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit, që nënvizon shqetësime serioze për abuzime me administratën publike, presione ndaj votuesve dhe mungesë transparence në financimin e fushatës.
Ky lloj përqafimi politik i një qeverie të tillë është jo vetëm cinik, por edhe i rrezikshëm. Ai delegjitimon idealin europian në sytë e qytetarëve shqiptarë, që e shohin BE-në jo më si një garantues të shtetit të së drejtës, por si një aleat të atyre që e kanë rrënuar shtetin. Dhe përtej Shqipërisë, kjo qasje shkakton një precedent negativ për të gjithë rajonin, duke treguar se standardet evropiane janë të negociueshme dhe se mungesa e demokracisë mund të shpërblehet politikisht, nëse shërben interesa të caktuara gjeopolitike.
Një popull në ikje dhe një regjim që riciklon veten
Ndërkohë, Shqipëria po përjeton një krizë demografike të pashembullt: një valë masive emigrimi ka boshatisur vendin nga të rinjtë, profesionistët dhe klasat e mesme. Humbja e shpresës, mungesa e perspektivës, përçmimi ndaj votës dhe ndjesia e pafuqisë ndaj një pushteti që nuk ndryshon – të gjitha këto kanë kontribuar në një ikje që nuk është thjesht ekonomike, por ekzistenciale.
Në këtë panoramë, mbajtja e samitit evropian në Tiranë vjen si një ironi therëse: ndërsa Shqipëria humb qytetarët e saj më të arsimuar e të aftë, liderët evropianë vijnë për të dhënë miratimin ndaj një regjimi që e ka prodhuar këtë realitet.
Kur Shqipëria shndërrohet në hapësirë depozitimi për problemet e të tjerëve
Në këtë kontekst të degraduar, ka edhe një zhvillim që trondit thellësisht ndjenjën e sovranitetit dhe të sigurisë kombëtare: media ndërkombëtare kanë raportuar se Presidenti i Francës dhe Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar synojnë të zhvendosin në Shqipëri emigrantët e padëshiruar nga vendet e tyre – përfshirë persona me rekorde kriminale, nga vende të Afrikës dhe më gjerë – nëpërmjet krijimit të qendrave të posaçme. Ndërkohë, qeveria shqiptare hesht, duke mos ofruar as transparencë, as sqarim për publikun shqiptar mbi përmbajtjen dhe pasojat e këtyre marrëveshjeve.
Një precedent tashmë është vendosur me Kampin e Gjadrit, një qendër paraburgimi e ngritur si pjesë e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane të kryesuar nga Giorgia Meloni. Ky kamp operon nën juridiksionin italian, dhe pritet të përdoret për mbajtjen e emigrantëve të ndaluar në përpjekje për të kaluar ilegalisht drejt Italisë, jashtë territorit të saj kombëtar. Ky model – i eksternalizimit të kufijve dhe të të drejtave njerëzore – rrezikon të shndërrojë Shqipërinë në një zonë gri të përgjegjësisë ligjore dhe morale, ku zbarkohen pasojat shoqërore të krizave të huaja, ndërsa qytetarët shqiptarë përjashtohen nga çdo proces vendimmarrjeje.
Një pyetje për Europën: Çfarë po mbështesni në Tiranë?
Mbështetja që u jepet regjimeve të tilla për llogari të “stabilitetit afatshkurtër” përbën një rrezik afatgjatë: për shqiptarët, që po jetojnë në një realitet gjithnjë e më të pashpresë, por edhe për vetë Europën, që gërryen themelet e projektit të saj demokratik duke injoruar vlerat që pretendon të mbrojë.
Samiti i Komunitetit Politik Europian në Tiranë do të ishte një rast i çmuar për të ngritur pyetjen më thelbësore: A është Shqipëria e sotme një demokraci që duhet inkurajuar, apo një regjim që po stabilizohet falë mbështetjes evropiane? Dhe më tej: A është Europa ende një komunitet politik i vlerave, apo një konstrukt diplomatik që ka vend për gjithçka, përfshirë edhe autokracitë që vishen me kostum europian?