Klodian Tomorri
Zequa 1, Zequa 2 dhe Shqipëria si nëna e Zeqos në majë të thanë
Zhvillimi më i bujshëm politik që ka prodhuar Shqipëria pas zgjedhjeve të 11 majit janë dy… Zeqot.
Zeqo i parë është një deputete nga Fieri, e cila i bën vetes video ku thotë gjëra tepër “të mençura”. Fillimisht mori mandat si deputete, por më pas doli se kishte vjedhur ca vota – dhe e humbi mandatin.
Por, sapo i ra mandati, ajo që ishte para Zeqos në listë “papritmas” hoqi dorë, me propozim nga lart dhe orientim nga poshtë, dhe Zeqos iu hap rruga për në Kuvend… sërish. Mbajeni mend këtë.
Zeqo i dytë është një punëtor ndërtimi, që mund të bëhet deputet. Ishte i 12-ti në listën e mbyllur Lapaj–Shabani. Në fillim, u tha që të gjithë kishin firmosur dorëheqjen, dhe në Parlament do hynin vetëm ata që merrnin më shumë vota individualisht.
Mirepo, Zeqo i dytë sot thotë se “s’e mban mend” nëse ka firmosur apo jo. Dhe nuk po lëshon rrugë.
Pra, kemi një Zeqo që e futën në Parlament, dhe një tjetër Zeqo që nuk del prej tij.
Dhe Shqipëria e gjorë është katandisur si nëna e Zeqos në majë të thanës.
Ky është ndoshta zhvillimi më “i rëndësishëm” politik i ditëve të fundit.
Ndërkohë, zhvillimi më i rëndësishëm publik janë prishjet e ndërtimeve në Theth.
Këtu nuk kemi Zeqo, por Koçekë.
Ca Koçekë thonë që qeveria po i hedh në rrugë të madhe.
Ca të tjerë thonë: “Edi Rama ka ba nji gja t’mrekullushme që prishi ndërtimet pa leje.”
Po bëhemi si një spital psikiatrik i madh në natyrë të hapur.
Prandaj: Zeqo dhe Koçekë të të gjitha llojeve, bashkohuni!
Koha është tani që të shpëtojmë Atdheun.