Shqiptarët fituan më shumë mandate por më pak peshë politike!

Dje, më 8 Maj, përfunduan zgjedhjet e dyfishta – presidenciale dhe parlementare në Maqedoninë e Veriut. Në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale u votua për dy kandidatë, për Stevo Pendarovskin nga LSDM dhe për Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO, e cila fitoi bindshëm,  ndërsa në garën për zgjedhjet parlamentare morën pjesë  17 lista të deputetëve. Këto ishin zgjedhjet e shtata presidenciale dhe të njëmbëdhjetat parlamentare që nga pavarësimi i RMV-së

 Sipas të dhënave të fundit nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, përbërja e re parlamentare do të ketë këtë strukturë: VMRO-DPMNE do të ketë 58 mandate, Fronti Evropian 19 mandate, LSDM – 18 mandate, VLEN-  13 mandate, e Majta-  6 mandate, Lëvizja ZNAM 6 mandate.
Subjektet shqiptare, në total do të kenë 32 ulëse në Parlament.

Të parët që uruan fitoren e VMRO-së dhe të Gordana Siljanovskës, ishin  Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, dhe Presidenti i Sërbisë, Aleksandar Vuçiç.

Gordana Siljanovska Davkova, në fjalimin e saj të parë drejtuar masës së tubuar që kishin dalë në shesh për ta festuar fitoren, ndër të tjera vuri në dukje: “A ka një ndryshim më të madh se një grua që bëhet presidente për herë të parë, a ka një frymëzim më të madh?” “Jo”, tha ajo.  Ajo shtoi se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe se “dera e saj është e hapur për të gjithë”.

Nuk munguan edhe komentet e para nga kampi tjetër politik maqedonas – LSDM,  i cili në këto zgjedhje doli humbësi më i madh.  “Shumë qytetarë kanë frikë nga ky rezultati sepse pushteti i madh ka përfunduar në duart e një partie të njohur për keqpërdorim të pushtetit”, ka thënë kryetari i Lidhjes Social Demokrate dhe ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Parlamenti i ri , sipas Kushtetutës, duhet të konstitutohet jo më vonë se 20 ditë pas zgjedhjeve, ndërkaq pas zyrtarizimit të rezultateve zgjedhore, më së voni më 12 maj Gordana Siljanovska Davkova.

Emërues i përbashkët i i të gjitha analizave të para që janë dhënë pas këtyre zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, është diferenca kaq e thellë në mes të dy partive kryesore maqedonase – VMRO-së dhe LSDM-së. Kjo e fundit për herë të parë në historinë e Parlamentarizmit në Maqedoni, rangohet forca e tretë politike në zgjedhje, madje pas një partie shqiptare, siç është BDI.

Humbja kaq e thellë e LSDM-së, i atribuohet kursit shtetëror që ndoqi ajo ndaj politikave me fqinjët dhe pafuqia për të luftuar korrupsionion, i cili ishte i pranishëm edhe brenda kësaj partie. LSDM e kryesuar nga Zoran Zaev, erdhi në pushtet në vitin 2017, në kohën kur asaj si udhëheqëse e Qeverisë së atëhershme i ra barra të  arrij disa marrëveshjesh të rëndësishme: siç ishte marrëveshja me Greqinë që pasoi me ndryshimin e emrit nga “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë” në “Maqedonia e Veriut”, pastaj arritjen e një marrëveshjeje të fqinësisë së mirë me Bullgarinë, që ishte edhe kusht për fillimin e negociatave për anëtarësim me BE-në.
Në retorikën parazgjedhore të VMRO-së dhe kandidates së saj Gordana Siljanovska, LSDM-së i përshkruhej edhe një mëkat tjetër, që kishte të bënte me shqiptarët. Sipas kësaj retorike LSDM gjoja është treguar tepër inferiore kundrejt BDI-së, si në aspektin e ndarjes së resorëve të rëndësishëm ministror, ashtu edhe në aspektin e krijimit të, siç thotë VMRO, monopoleve ekonomike dhe biznesore të  BDI-së.

Ka mjaftuar kjo retorikë që të merr trajtat e një perceptimi kolektiv te një pjesë e elektoratit maqedonas, të cilët Maqedoninë e konsiderojnë si pronë të tyre e cila duhet të kthehet te pronari, pasi që, sipas tyre, shteti qenka marrë penga nga shqiptarët.

Bilanci zgjedhor e vërteton këtë perceptim, kurse faktet dëshmojnë se në Maqedoni dikursi antishqiptar gjithmonë ka shërbyer si motor për të mobilizuar votuesit maqedonas. Këta të fundit ishin mbështetësit më të mëdhenj të VMRO-së dhe kandidates së saj për president Gordana Siljanovska, e cila në fushatë përdori argumente populiste perms një slogani “Ta kthejmë shtetin“, që nënkuptonte rikthimin e politikave përjashtuese ndaj shqiptarëve dhe refuzuese ndaj ndryshimeve kushtetuese ku bullgarët janë paraparë të jenë pjesë e  saj.

Në këto zgjedhje të dyfishta presidenciale dhe parlamentare, skena politike e Maqedonisë pësoi një ndryshim radikal. Në kampin politik maqedonas, fuqia politike e opozitës nuk do të jetë siç ishte deri më tani, për shkak të debaklit zgjedhor të LSDM-së, por në anën tjetër në sipërfaqe po del një bllok i tretë politik, i përbërë nga partia Levica dhe Lëvizja ZNAM, subjekte këto që u ngritën si kompenzim i rënies së LSDM-së, por edhe në saje të retorikës antishqiptare në fushatë.

Çka do të bëjnë shqiptarët pas këtij bilanci zgjedhor?

Nëse i referohemi numrave, matematika politike është në favor të shqiptarëve, por këto zgjedhje prodhuan një situatë ku partia fituese VMRO është komode të bëj qeveri pa qenë e detyruar të jetë e kushtëzuar nga subjektet shqiptare. VMRO-së i nevojiten vetëm edhe  tre deputetë për ta formuar shumicën e re parlamentare, prandaj ajo do të mundohet të bëj koalicion me ata politikanë shqiptarë që nuk do të futen në qeveri me kushtëzime, ndonëse kjo shumë do të varet nga qëndrimet e ambasadorëve të huaj, sidomos atij amerikan.

Si qëndrojnë punët aktualisht, qeveria e ardhshme mund të jetë stabile sa i përket numave, por askush nuk garanton se numrat janë burim i stabilitetit politik, sidomos nëse VMRO parapëlqen ta anashkaloj BDI si fituese në kampin shqiptar në favor të një bashkëpunimi me koalicionin tjetër shqiptar- VLEN, i rankuar pas BDI-së sa i përket numrit të votave të fituara në zgjedhje.

Deri më tani nuk ka ndonjë indicje se partitë shqiptare do të bëjnë ndonjl marrëveshje në mes veti se si dhe me çfarë kushtesh do të hyjnë në qeveri, por ajo çka mbetet për t’u pa nëse përfshirja  e bullgarëve në ndryshimet e paralajmrëruara kushtetuese, do të ndodh gjatë mandatit të parlamentit aktual, apo pasi të formohet parlamenti i ri, ku janë të domosdoshme dy të tretat e votave të deputetëve, një situatë kjo që e bën paksa më të komplikuar gjendjen. Pa një bashkëpunim dhe bashkërendim ndëraprtiak, ndryshimet kushtetuese nuk mund të ndodhin, kurse pa këto ndryshime rruga integruese  e Maqedonisë së Veriut në BE do të jetë me shumë të panjohura.

Si përfundim mund të thuhet se këto zgjedhje të  dyfishta presidenciale dhe parlamentare, shqiptarëve iu sollën më tepër mandate, por kjo nuk mund të përkthehet në faktorizim të tyre, për shkak se VMRO për katër vjet sa do të jetë në qeveri nuk është gjithaq e varur nga votat e shqiptarëve për ta ruajtur stabilitetin dhe ardhmërinë e pushtetit

Publikuar nga Publik Media