Shqiptarët punojnë vetëm për të ngrënë

Rritja e shpejtë e çmimeve të ushqimeve, qirave dhe shërbimeve bazë gjatë vitit të fundit ka rënduar ndjeshëm buxhetet e familjeve të shtresës së mesme, sidomos atyre me arsim të lartë. Një sondazh i realizuar gjatë muajve shkurt-mars 2025 me 271 pjesëmarrës, kryesisht banorë të Tiranës dhe në moshën 35-54 vjeç, zbuloi se mbi 70% e të ardhurave mujore shkojnë për blerjen e ushqimeve, ndërsa një pjesë e konsiderueshme për strehim.

Gati gjysma e të anketuarve deklaruan se niveli i jetesës është përkeqësuar krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa vetëm 12% raportuan përmirësim. Pjesa më e madhe kanë vështirësi të përballojnë shpenzimet mujore për ushqim dhe qira apo kredinë e banesës. Për të përballuar këto kostot, shumë po punojnë më shumë se një punë, ndërsa kanë reduktuar shpenzimet për argëtim dhe luks.

Çmimet e ushqimeve dhe strehimit janë rritur më shpejt sesa pagat, duke e bërë të pamundur për shumë familje mbajtjen e një niveli jetese të qëndrueshëm. Shpenzimet për arsimin dhe shërbimet shëndetësore po rriten gjithashtu, duke shtuar presionin mbi buxhetin familjar.

Mbi 40% e pjesëmarrësve nuk mund të kursejnë për shkak të pamundësisë financiare, ndërsa 14% janë edhe në borxhe. Një pjesë e madhe po kërkojnë mundësi për rritje pagash dhe ulje taksash për të përmirësuar situatën e tyre ekonomike.

Kjo situatë reflekton një hendek të thellë midis rritjes së çmimeve dhe mundësive reale të shtresës së mesme për t’u përballur me to, duke sjellë një sfidë serioze për stabilitetin social dhe ekonomik në vend.

Publikuar nga Publik Media