Shqiptarët vishen te “gabi”

Në Shqipëri, vetëm pushtetarët dhe oligarkët vishen me firma

Në një vend ku hendeku mes të pasurve dhe të varfërve vazhdon të zgjerohet, një tjetër tregues i krizës ekonomike në Shqipëri është shpërthimi i tregut të veshjeve të përdorura, të njohura ndryshe si “gabi.” Ndërsa pushtetarët dhe oligarkët shfaqen me marka të shtrenjta ndërkombëtare, shumica e shqiptarëve mbijetojnë duke blerë rrobat e tyre në dyqanet e dorës së dytë.

Një shifër që tregon shumë

Të dhënat e fundit të INSTAT për vitin 2024 flasin qartë: importet e veshjeve të përdorura u rritën me 81%, duke arritur në 22.1 mijë tonë, nga vetëm 12.2 mijë tonë në 2023. Për krahasim, në periudhën 2019-2023, importet qëndronin rreth 12 mijë tonë në vit, ndërsa vetëm gjatë vitit të kaluar u dyfishuan.

Pse? Përgjigjja është e thjeshtë: inflacioni i lartë, plakja e popullsisë dhe emigrimi masiv kanë bërë që shqiptarët të kufizojnë gjithnjë e më shumë shpenzimet për veshje të reja.

Konsumatorët shqiptarë: nga butiqet te gabi

Ndërsa një pjesë e vogël e shoqërisë, kryesisht pushtetarë dhe biznesmenë të lidhur me qeverinë, shijojnë luksin e markave të njohura, pjesa dërrmuese e popullsisë po orientohen drejt blerjeve më të përballueshme. Rrobat e përdorura ofrojnë një raport të mirë cilësi-çmim, duke u kthyer në shpëtimin ekonomik për shumicën.

Popullsia në moshë pensioni, e cila përbën 19.7% të totalit, krahasuar me vetëm 11.3% në vitin 2011, harxhon shumë më pak për veshje të reja. Kjo është një strukturë tipike konsumi për shoqëritë që plaken, ku prioritet mbeten shpenzimet bazike si ushqimi dhe ilaçet.

Kush janë faktorët kryesorë?

•Inflacioni i lartë: Rritja e çmimeve të shportës pas luftës në Ukrainë ka rënduar ndjeshëm ekonomitë familjare. Shqiptarët, të cilët tashmë ishin ndër qytetarët me shpenzimet më të larta për ushqime në Europë, janë detyruar të kursejnë për gjithçka tjetër, përfshirë veshjet.

•Plakja dhe tkurrja e popullsisë: Nga viti 2011 deri në 2023, Shqipëria ka humbur mbi 420 mijë banorë, kryesisht të rinj që emigruan për një jetë më të mirë. Kjo tkurrje ka prekur drejtpërdrejt konsumatorin kryesor të veshjeve të reja – të rinjtë.

•Rënia e lindjeve: Me një normë lindshmërie gjithnjë në rënie, struktura demografike ka ndryshuar. Moshat e vjetra kanë zakone konsumi më të kursyera dhe preferojnë zgjidhje ekonomike.

Një trend global i përshtatur për mbijetesë

Veshjet e përdorura nuk janë më një fenomen vetëm shqiptar. Në botë, ato janë kthyer në trend për arsye të ndryshme, si qëndrueshmëria dhe kursimi. Por në Shqipëri, ato nuk janë thjesht zgjedhje – janë nevojë.

Shqiptarët nuk kanë luksin të zgjedhin mes markave të shtrenjta dhe “gab-it”. Tregu i dorës së dytë është një pasqyrë e gjallë e realitetit ekonomik, ku konsumatorët luftojnë për të ruajtur një standard jetese minimal.

Çfarë tregon kjo për shoqërinë tonë?

Në një ekonomi ku elitat veshin rroba me vlerën e një rroge mesatare, ndërsa qytetarët e zakonshëm “gërmojnë” për një pallto dimri te gabi, është e qartë se kemi dështuar si shoqëri. Politikat ekonomike që favorizojnë vetëm të pasurit kanë thelluar pabarazinë dhe kanë zhytur shumicën në një luftë të përditshme për mbijetesë.

Në vend që të bëhemi shembull i zhvillimit, ne po shndërrohemi në një komb të tkurrur, të varfër dhe të plakur, ku veshjet e përdorura simbolizojnë krizën e pafund të shqiptarëve.

Publikuar nga Publik Media