Shtëpia e Brad Pitt në Los Angeles grabitet nga tre hajdutë

Shtëpia e aktorit të famshëm Brad Pitt në lagjen elitare Los Feliz të Los Angeles është bërë objekt i një grabitjeje të organizuar nga një grup prej tre personash. Sipas Departamentit të Policisë së Los Angeles (LAPD), autorët kanë hyrë përmes një dritareje ballore mbrëmjen e së mërkurës dhe kanë “shkretuar plotësisht vendin”.

Edhe pse policia nuk e konfirmoi zyrtarisht pronësinë e aktorit fitues të çmimit Oscar, adresa e godinës përputhet me atë të shtëpisë që Brad Pitt bleu në vitin 2023. Mediat amerikane raportojnë se aktori nuk ndodhej në shtëpi në momentin e grabitjes.

Autoritetet lokale nuk kanë bërë të ditur vlerën e sendeve të vjedhura dhe ende nuk është sqaruar se çfarë konkretisht është marrë nga banesa. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30 me orën lokale, ndërsa policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Shtëpia e Pitt, një rezidencë e madhe me tre dhoma gjumi, ndodhet pranë Griffith Park, në afërsi të famshmit Hollywood Sign. Ajo është e rrethuar nga një gardh i lartë dhe gjelbërim i dendur, që e mbron nga pamja e jashtme.

Në momentin e grabitjes, Pitt ndodhej në Mbretërinë e Bashkuar për premierën e filmit të tij të ri me temë Formula 1, ku u shfaq përkrah Tom Cruise dhe kampionit të F1, Lewis Hamilton.

Ngjarja e fundit vjen në vazhdën e një serie grabitjesh që kanë pasur si objektiv banesat e personazheve të njohur të Hollywood-it. Më herët janë raportuar raste të ngjashme në banesat e Nicole Kidman dhe Keith Urban. Muajin e kaluar, një burrë u arrestua pasi akuzohej për përndjekje dhe vandalizëm, pasi përplasi makinën e tij në portën e shtëpisë së ish-bashkëshortes së Pitt, Jennifer Aniston.

Publikuar nga Publik Media