Si i shpërdoron Bashkia Tiranë fondet për Policinë Bashkiake

 

Veliaj rrit numrin e policëve për të imponuar politikat e tij, duke anashkaluar vendimet e qeverisë

Policia Bashkiake e Tiranës është kthyer në një instrument të pushtetit të kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, për të zbatuar politika shpesh të kundërshtuara nga qytetarët. Për të rritur kontrollin dhe presionin mbi qytetarët dhe bizneset, Veliaj ka zgjeruar ndjeshëm numrin e efektivëve, madje përtej kufijve të përcaktuar nga qeveria.

Këtë e dëshmojnë shifrat e tenderëve për blerjen e uniformave për Policinë Bashkiake, që kanë njohur një rritje drastike, si në vlerë ashtu edhe në numër uniformash, duke krijuar dyshime të forta për shpërdorim fondesh dhe korrupsion.

Sa policë duhet të ketë Bashkia Tiranë?

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të shtatorit 2018, numri maksimal i punonjësve të Policisë Bashkiake për Tiranën duhej të ishte 428. Ky kufi u shkel hapur nga Veliaj dhe Këshilli Bashkiak në vitin 2020, kur numri u rrit në 500 efektivë pa një vendim të ri të qeverisë.

Në qershor 2022, një konkurs i shpallur nga Bashkia Tiranë tregoi për një rekrutim të ri prej 116 policësh, duke e çuar numrin real të efektivëve në 616.

Në shtator 2018, Këshilli i Ministrave ka miratuar strukturën e re sa i takon numrit të policëve bashkiak për Bashkitë Tiranë dhe Durrës. Sipas vendimit,  numri maksimal i punonjësve të policisë bashkiake, për Bashkinë Tiranë, bëhet 428 veta, ndërsa për bashkinë Durrës, 80 veta.

Në vitin 2020, Këshilli bashkiak nxjerr një vendim të ri për numrin e policëve. Ish-kryetari i këshillit, Toni Gogu, nuk i referohet vendimit të qeverisë, por vetëm Kushtetutës. Numri i policëve rritet në 500 në total.

Një informacion tjetër mbi rritjen e numrit të policëve e marrin nga një njoftim konkursi i Bashkisë Tiranë në qershor 2022. Sipas njoftimit, policia kërkonte të shtonte 116 policë.

Ndërkohë, për vitin 2024, shifra arrin në 650, bazuar në tenderin për uniforma. Kjo rritje e vazhdueshme e numrit të policëve bashkiakë vjen pa një bazë ligjore të qartë dhe krijon dyshime për mënyrën sesi përdoren këto struktura në terren.

Si janë rritur fondet për uniforma?

Një vështrim në tenderët e uniformave për Policinë Bashkiake zbulon një skemë të përsëritur të abuzimeve:
• 2018 – Bashkia harxhoi 10.4 milionë lekë për uniforma, me fitues kompaninë “Vojsava”, e cila konkurronte me një ofertues tjetër që paraqiti ofertë zero lekë.
• 2019 – Fondi për uniforma u rrit në 13.4 milionë lekë, përsëri me fituese kompaninë “Vojsava”, e cila shpallet fituese me “Flamur të Kuq” (shenjë e rrezikut për korrupsion).
• 2020 – Bashkia harxhoi 132 milionë lekë, me “Vojsava” si fituese e vetme.
• 2021 – Ndërkohë që uniformat e reja supozohej të përdoreshin për dy vite, në këtë vit “Vojsava” siguroi një tender tjetër për këpucë në vlerë 22 milionë lekë.
• 2022 – Tenderi për uniforma u rrit në 166 milionë lekë, përsëri me një ofertues të vetëm.
• 2023 – U blenë 600 uniforma, përfshirë 500 pulovra, 300 xhupa sintetikë dhe 400 kostume doku.

Katërfishimi i fondit në vitin 2024

Abuzimi arrin kulmin në vitin 2024, kur fondi për uniforma është rritur katër herë më shumë krahasuar me vitin 2023.

Në dhjetor 2024, Bashkia Tiranë shpalli një tender me vlerë 51.6 milionë lekë, ku fituese, si gjithmonë, është “Vojsava Zenelaj”.

Vojsava Zenelaj ofroi ofertën 51 370 900,00 lekë pa TVSH, gati 100 % e fondit limit dhe u shpall fituese më 23 janar 2025.

Komisioni është kujdesur ta justifikojë rritjen katërfish të fondit me një risi, ku 100 policë do të pajisen me uniforma të posaçme kur përdorin biçikletat.

Rritja e fondit justifikohet me një risi absurde: 100 policë do të pajisen me uniforma speciale për përdorimin e biçikletave.

Kjo skemë e përsëritur tregon qartë një model shpërdorimi fondesh publike, ku të njëjtët operatorë favorizohen përmes tenderëve të paracaktuar.

Veliaj nën hetim për korrupsion

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, është aktualisht nën hetim nga SPAK për korrupsion pasiv, korrupsion aktiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimet kanë zbuluar prova të forta që lidhen me këto akuza dhe janë regjistruar në Regjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale.

Në një kohë kur SPAK po heton Veliajn për afera të shumta korruptive, tenderët e dyshimtë për Policinë Bashkiake tregojnë një tjetër fushë ku fondet publike keqpërdoren në mënyrë sistematike.

A është Policia Bashkiake në funksion të qytetarëve?

Me një strukturë që rritet artificialisht dhe një buxhet që fryhet në mënyrë të pajustifikuar, Policia Bashkiake e Tiranës duket më shumë si një mjet politik i Erion Veliajt sesa një institucion në shërbim të qytetarëve.

Në vend që të ndihmojë qytetarët, kjo polici është përdorur për të zbatuar politika represive, për të ushtruar presion mbi bizneset e vogla dhe për të shërbyer si një mjet kontrolli për interesat e Veliajt dhe rrethit të tij të ngushtë.

Nëse SPAK synon të godasë korrupsionin e vërtetë, atëherë një hetim serioz mbi mënyrën sesi Bashkia Tiranë ka përdorur fondet e Policisë Bashkiake është i domosdoshëm.

Veliaj mund të mburret me projektet e tij propagandistike, por faktet tregojnë se ai ka krijuar një sistem ku korrupsioni lulëzon nën petkun e një administrate të suksesshme. Ndërkohë, qytetarët e Tiranës paguajnë faturën e një keqmenaxhimi të qëllimshëm.

Publikuar nga Publik Media