Si është shndërruar BKT në lavatriçe parash për rrjetet kriminale

Si është shndërruar Banka Kombetare Tregetare,  institucioni financiar më i madh në lavatriçe parash për grupet  kriminale

Banka Kombëtare Tregtare (BKT), institucioni më i madh bankar në Shqipëri, po përflitet si një ndër mjetet më të sofistikuara të pastrimit të parave në vend, duke u vënë nën shërbim të grupeve kriminale dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

Sipas të dhënave të siguruara nga burime të drejtësisë dhe dosje hetimore që po qarkullojnë në prapaskenë, BKT rezulton se është përdorur gjerësisht për të kanalizuar miliona euro të përfituara nga trafiku i drogës, mashtrimi financiar dhe evazioni fiskal, duke i futur ato në sistemin financiar të ligjshëm. Në qendër të kësaj skeme qëndrojnë kreditë e dhëna në mënyrë të dyshimtë dhe transaksionet e fshehta që kanë përfituar bizneset e lidhura me krimin e organizuar.

Pastrimi i parave përmes ndërtimit dhe energjisë

Banka, e cila kontrollohet nga oligarku turk Ahmet Çalık dhe administrohet nga Mehmet Seyhan Pencablıgil  që mban njëkohësisht edhe titullin “Konsull Nderi” i Pakistanit në Shqipëri  ka dhënë në mënyrë të përsëritur kredi me shuma të mëdha për subjekte të lidhura me botën e nëndheshme. Fonde të mëdha janë kanalizuar në sektorin e ndërtimit dhe energjisë, dy fushat më të ekspozuara ndaj korrupsionit dhe spekulimeve me origjinën e parave.

Skema: 160 milionë euro kredi vetes

Një rast veçanërisht flagrant është dhënia nga vetë BKT e një kredie prej 160 milionë euro… vetes. Me pretekstin e një “ristrukturimi financiar”, BKT ka marrë një kredi afatgjatë 30-vjeçare, në një kohë kur banka raporton fitime mbi 100 milionë euro në vit. Kjo manovër ngre dyshime serioze për një skemë të fshehtë dhe të planifikuar për të fshehur burimin e fondeve dhe për të manipuluar pasqyrat financiare.

Heshtja e Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve mbikëqyrëse

Edhe më alarmante është heshtja totale e institucioneve të ngarkuara me kontrollin dhe monitorimin e tregut financiar. Banka e Shqipërisë, Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe autoritete të tjera duket se janë të paralizuara përballë këtij rrjeti ndikimi. Burime nga sektori financiar nënvizojnë se BKT ka krijuar marrëdhënie të ngushta me zyrtarë të lartë, përmes lobimit, ndikimit dhe dyshimeve për korrupsion të drejtpërdrejtë.

A do të hetohet ndonjëherë fuqia e vërtetë që qëndron pas BKT?

Në një vend ku bankat janë simbol i stabilitetit ekonomik dhe besimit publik, rasti i BKT është një kambanë alarmi. Nëse këto akuza nuk hetohen me transparencë dhe pa ndikim, pasojat për ekonominë dhe demokracinë në vend do të jenë të rënda.

Publikuar nga Publik Media