Si KPP favorizoi në mënyrë të dyshimtë kompaninë ADEL CO?

Një skandal që po kalon çdo kufi!

Një tjetër aferë korruptive po trondit sistemin e prokurimeve publike në Shqipëri, duke ngritur dyshime serioze mbi integritetin e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP). Në qendër të këtij skandali qëndron një tender me vlerë 2 milionë euro për Drejtorinë e Arkivit të Shtetit, i cili është kthyer në një sagë manipulimesh, duke shkelur hapur vendimet e Gjykatës së Apelit dhe duke krijuar një precedent të rrezikshëm për shtetin e së drejtës.

Kompania Kristalin KH, e shpallur fituese e tenderit në vitin 2023, është përballur me një fushatë të pashembullt përjashtimi nga gara. Rivalja e saj, ADEL CO, ka marrë mbështetje të vazhdueshme nga KPP, e cila ka përdorur çdo mekanizëm për të rrëzuar fituesin e ligjshëm. Pasi KPP pranoi ankesën e ADEL CO dhe skualifikoi Kristalin KH, kjo e fundit e apeloi vendimin në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila rrëzoi vendimin e KPP-së dhe e detyroi të njihte fitoren e Kristalin KH.

Por, çfarë ndodhi më pas? Në një zhvillim të paprecedent, KPP refuzoi të zbatonte vendimin e Apelit dhe, nën pretekstin e një kallezimi të bërë nga ADEL CO në Prokurorinë e Tiranës, rinisi një proces të mbyllur, duke e kthyer sërish garën në favor të kompanisë ADEL CO. Një veprim i papranueshëm dhe i pajustifikueshëm ligjërisht.

A është KPP një institucion i kapur?

Veprimet e Komisionit të Prokurimit Publik kanë ngritur pikëpyetje të mëdha mbi integritetin dhe paanshmërinë e tij. KPP nuk mund të vendosë përtej vendimeve të formës së prerë të Apelit, e megjithatë e ka bërë pikërisht këtë, duke favorizuar ADEL CO në mënyrë të hapur.

Për më tepër, KPP ka shkelur hapur afatet ligjore. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave e kishte rrëzuar ankesën e ADEL CO që më 3 tetor 2024, por më 30 janar 2025, përtej çdo afati të lejuar nga ligji, KPP vendosi sërish të skualifikojë Kristalin KH, me pretendimin se kishte përdorur dokumente të falsifikuara. Por, çuditërisht, ky pretendim nuk mbështetet në një vendim gjyqësor të formës së prerë – pra, KPP ka dalë përmbi çdo autoritet ligjor dhe ka marrë rolin e një gjykate!

Cili është roli i dyshimtë i ADEL CO?

Sipas kallëzimit penal të bërë nga Kristalin KH në SPAK, në prapaskenë të kësaj loje të dyshimtë qëndron një emër tjetër: Arjan Lleshi. Sipas kallëzimit, Kliti Avdullari, personi që zyrtarisht figuron si pronar i ADEL CO, është thjesht një “prestanome”, ndërsa kontrollin e vërtetë të kompanisë e ka Arjan Lleshi, i cili ka ndikuar drejtpërdrejt vendimmarrjet e KPP në favor të ADEL CO.

Nëse këto dyshime konfirmohen nga SPAK, atëherë kemi të bëjmë me një skemë të mirëorganizuar manipulimi të tenderave publikë, ku një kompani e mbështetur nga struktura të caktuara në institucionet shtetërore arrin të skualifikojë rivalët e saj përmes vendimeve të paligjshme dhe ndërhyrjeve në prokurime.

A ka shkatërruar KPP konkurrencën e ndershme?

Ky skandal ka sjellë pasoja të rënda. Jo vetëm që ka dëmtuar rëndë besueshmërinë e sistemit të prokurimeve publike, por ka shkaktuar edhe paralizimin e Drejtorisë së Arkivit të Shtetit, e cila prej dy vitesh është pa kuti dhe pa dosje për arkivimin e dokumenteve të rëndësishme.

Përveç shkeljeve të hapura të barazisë në tendera, KPP ka demonstruar njëanshmëri të rrezikshme në favor të një kompanie që prej vitesh fiton thuajse çdo tender në fushën e shtypit. Kjo tregon një kapje të tregut dhe një monopol të krijuar në mënyrë të paligjshme, duke minuar konkurrencën dhe duke dëmtuar bizneset e tjera.

A do të ketë drejtësi?

Tashmë, çështja ndodhet në SPAK dhe mbetet për t’u parë nëse drejtësia do të veprojë kundër këtij skandali të rëndë, i cili ka ekspozuar edhe një herë se si tenderat publikë mund të manipulohen në mënyrë flagrante, duke shpërfillur vendimet e gjykatave dhe duke vendosur interesa private mbi ligjin.

A do të dalin përpara drejtësisë përgjegjësit për këtë shkelje të rëndë?
A do të japë SPAK një mesazh të qartë se kapja e shtetit përmes prokurimeve publike nuk do të tolerohet më?

Kjo nuk është më thjesht një betejë tenderash mes dy kompanive, por një çështje që prek themelet e sundimit të ligjit dhe të drejtësisë në Shqipëri.

Publikuar nga Publik Media