Emisioni investigativ Fiks Fare ka denoncuar një rast të rëndë që ngre dyshime serioze për tentativë fshehjeje të një ngjarjeje kriminale, të ndodhur më 30 mars 2026 në një lokal nate në zonën e Thumanës, në Krujë.
Në redaksinë e emisionit është paraqitur një 40-vjeçar nga Kurbini, i cili rrëfen se gjatë asaj nate ndodhej në një lokal së bashku me disa persona. Sipas tij, ai është ulur në një tavolinë ku ndodhej një i ri me emrin Petrit Shima, ndërkohë që ishte ftuar nga pronari i lokalit, Ismet Rryçi.
Sipas dëshmisë, situata është tensionuar papritur kur personat e tjerë janë larguar nga tavolina, ndërsa ai është ftuar të qëndrojë. Në momentin që ka tentuar të largohet, i riu ka nxjerrë armën dhe e ka ndjekur, duke tentuar ta qëllojë. Një ndërhyrje e menjëhershme nga persona të tjerë ka bërë që arma të devijohet dhe një plumb të përfundojë në tavanin e lokalit. Më pas, sipas qytetarit, ai është goditur disa herë me qytën e pistoletës, duke pësuar dëmtime në vesh dhe pjesë të tjera të trupit.
I plagosuri tregon se është dërguar në Spitalin e Krujës rreth orës 04:30 të mëngjesit, ku është trajtuar deri rreth orës 05:30. Ai pretendon se gjatë qëndrimit në spital nuk i është kërkuar asnjë e dhënë identifikuese, nuk është regjistruar në sistem dhe nuk është njoftuar policia, pavarësisht natyrës së plagëve.
Sipas tij, frika për jetën ka qenë e vazhdueshme, edhe për shkak të lidhjeve familjare të autorit të dyshuar me strukturat e policisë. Kjo, sipas qytetarit, është arsyeja pse ai i është drejtuar emisionit, duke kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Pas denoncimit, ai është rikthyer në Spitalin e Krujës për të kërkuar dokumentacionin mjekësor, por është përballur me mungesë informacioni dhe një sërë sorollatjesh mes pavioneve dhe personelit, pa marrë një përgjigje të qartë nëse ekziston apo jo kartela e tij.
Gazetarët e Fiks Fare kanë kryer verifikime në spital, duke kontrolluar regjistrat e urgjencës për datën 30 mars. Sipas tyre, emri i qytetarit nuk rezulton i regjistruar. Fillimisht, mjeku i urgjencës deklaron se nuk e gjen emrin dhe se, në raste të tilla, policia duhet të njoftohet. Megjithatë, pas një komunikimi me drejtuesit e institucionit, ai ndryshon qëndrim dhe kërkon që verifikimi të bëhet vetëm përmes një kërkese zyrtare.
E njëjta qasje ndiqet edhe nga drejtoria e spitalit, e cila refuzon të japë informacion të menjëhershëm, duke kërkuar procedura formale.
Paralelisht, gazetarët janë drejtuar edhe në Policinë e Krujës për të verifikuar nëse ka pasur ndonjë njoftim për këtë rast. Nga komunikimi me sallën operative rezulton se nuk ekziston asnjë raportim për një ngjarje të tillë në datën dhe orën në fjalë.
Ndërkohë, pas gjithë këtyre zhvillimeve, qytetari ka depozituar kallëzim në Policinë e Kurbinit, duke kërkuar hetim të plotë për ngjarjen dhe për mënyrën se si ajo dyshohet se është trajtuar nga institucionet.
***
Qytetari interesohet në Spitalin e Krujës, është apo jo emri dhe kartela e tij në atë spital?
Qytetari – Kam qenë mjeku në datë 30.
Punonjësja – Po.
Qytetari – Dhe mu desh ajo letra e mjekimit.
Punonjësja – Je mjeku sipër apo poshtë, këtu në kat të parë.
Qytetari – Te Urgjenca.
Punonjësja – Për çfarë je mjeku?
Qytetari – Kam pasur plagë këtu në vesh.
Punonjësja – Atëherë do të flasim pak me doktorin. Cili doktor ka qenë?
Qytetari – Për Zotin s’e mbaj mend, ka qenë vonë.
Punonjësja – Në moshë?
Qytetari – Nuk e di për Zotin, ka qenë pak në moshë. Ka qenë dhe një grua.
Punonjësja – Ja se shoh unë. Ky është doktori, vetëm me këtë do folni. Mirë?
Qytetari – Kam ardhur për të marrë, jam mjeku para nja 1 jave, nga ora 5 e mëngjesit.
Doktori – Kush të ka mjeku?
Qytetari – S’po di!
Doktori – Kush ka qenë pra?
Qytetari – S’e di për Zotin, mua më duhet letra e mjekimit.
Doktori – Këtu në kat të parë?
Qytetari – Në kat të dytë.
Doktori – Shko në kat të dytë pra.
Shkon në kat të dytë
Punonjësja – Informacioni është në kat të parë.
Qytetari – A në kat të parë, na çuan në kat të dytë!
Punonjësja – Për ça?
Qytetari – Kam qenë mjeku para 1 jave.
Punonjësja – Te kirurgjia? Është një kat më poshtë.
Qytetari – Kam qenë qep.
Punonjësja – Po pra, ikni prej shkallë dhe shkoni në kat të dytë e keni atë të mjekimit. Një kat më poshtë!
Zbret 1 kat!
Qytetari – Si kalove? Ku të marr një informacion?
Punonjësja – Për çfarë?
Qytetari – Na çuan në të dytin!
Punonjësja – Informacion s’ka këtu, çfarë kërkon?
Qytetari – Desha me marr një letër se kam pas qenë rrah para 1 jave dhe kam harruar atë letrën pa marrë.
Punonjësja – Poshtë, poshtë te recepsioni.
Qytetari – Poshtë, ë?
Punonjësja – Po. Një kat më poshtë!
Shkon te recepsioni
Qytetari – Kam pas qenë me një grup me 3 vetë dhe kam pas qenë qep në kokë dhe në vesh.
Punonjësja – Po.
Qytetari – Më është dashur ajo letra e mjekimit?
Punonjësja – Te kirurgjia shko!
Qytetari – Mbetën tu më sjell pra. Ishim te kirurgjia shkoni aty. Ku duhet me ik?
Punonjësja – Atje …
Qytetari – Ishim te kirurgjia. Thjeshtë më duhet letra ça dëmi kam pas.
Punonjësja – Ai që t’ka bërë mjekimet, kush t’i ka bërë mjekimet?
Qytetari – Këtu.
Punonjësja – Për çfarë të duhet ajo letra?
Qytetari – Nuk kanë faj këto, e ka fajin tjetërkush.
***
Grupi i Fiks Fare interesohet në Spitalin e Krujës për të parë nëse emri i qytetarit është regjistruar dhe a ka kartelë. Madje, përse nuk u lajmërua Policia e Krujës?!
Gazetari – Ju jeni mjek?
Doktori – Po.
Gazetari – Për një pacient që ka qenë në datë 30 këtu!
Doktori – Ça ka pësuar?
Gazetari – Ka pësuar dëmtime dhe është mjekuar këtu. Ky është regjistri?
Doktori – Ky është regjistri i urgjencës.
Gazetari – Ka ardhur në urgjencë, është regjistruar, ka bërë mjekime, na e verifikon dot, 30-ën?!
Kontrollon regjistrin …
Gazetari – Kjo është 30-ta!
Doktori – Ky është shkrimi im.
Gazetari – Po.
Doktori – 10 e 20, 10 e 45. Është më vonë. Ai ka ardhur në 30 në mëngjes herët?
Gazetari – Në mëngjes herët, në 5 të mëngjesit.
Doktori – Ça ka pas ky?
Gazetari – Ka pas dëmtime.
Doktori – Godit, rrah?
Gazetari – Godit me sende të forta.
Doktori – (Vazhdon të kontrollojë) Si e ka?
Gazetari – …
Doktori – Ëhë, lesh! Aty s’duket gjë.
Gazetari – (E kontrollojmë ne) Data 30.
Doktori – (Flet në telefon me drejtorin) Hë Landi? Ça bone ti drejtor, u lodhe? Kanë ardhur nja 2 çuna dhe duan një emër në regjistër, po pa fol me ju!
Gazetari – Kush ishte?
Doktori – Ky ishte drejtori, na bëni një kërkesë me shkrim.
Gazetari – Jo ça shkrimi, është regjistruar apo jo thuaji!
Doktori – Në kat të 5 e ke drejtorin.
Gazetari – Nuk shkoj deri atje, të sjelli ndonjë person këtu. Meqenëse dhe ti e pe.
Doktori – Unë kam shumë dëshirë për t’ju ndihmuar. T’ju jap ndonjë birrë?
Gazetari – Jo, ç’birrë.
Doktori – Kafe, ça doni për qejf.
Doktori – (Flet sërish në telefon) Këto janë të Top-it dhe duan një verifikim për një person ka ardhur më datë 30 apo s’ka ardhur.
Gazetari – Thuaj që s’është verifikuar fare, për këtë kemi ardhur.
Doktori – Unë nuk e di se të thashë që s’ishte shkrimi im.
Gazetari – Data 30 …
Doktori – Unë s’kam qenë, as roje s’kam pasur. Unë s’e di si është historia, bën vaki e kanë regjistruar, bën vaki s’e kanë regjistruar.
Gazetari – (I tregojmë fotot) A janë ambientet tuaja këto?
Doktori – Po ky erdhi qëparë për t’u mjeku ky re!
Gazetari – Janë ambientet tuaja?
Gazetari – (Vjen kryeinfermieri) Ambientet tuaja? Ky krevati është këtu?
Kryeinfermieri – Ai krevat është!
Gazetari – Për këtë po?
Kryeinfermieri – Po.
Gazetari – Është sipër?
Gazetari – (Shohim grafikun e muajit mars) Herri?
Doktori – Unë kam qenë me Ilir Rrapollarin. Unë kam qenë, po s’e kam parë, mos e ka parë ky shoku im.
Gazetari – Duhet të ishte regjistruar këtu, si rregull duhet të ishte regjistruar?
Doktori – Tani si rregull … Ose ka ardhur është regjistruar sipër në kirurgji ku ka bërë dhe atë ndërhyrjen. Në qoftë se është çarë, ka shkuar në kirurgji, mund të kemi marrë kirurgun, nuk e di se ça rasti ka qenë.
Gazetari – Po mirë, si rregull, ka punonjës policie natën?
Doktori – Po.
Gazetari – Duhet ti njoftoni ju?
Doktori – Nëse është rast, i njoftojmë po, si rregull po!
Gazetari – Për këtë s’ke informacion fare?
Doktori – Jo.
Gazetari – Po këtë na duhet ne, kush e ka fut dhe është regjistruar në urgjencë apo jo?
Doktori – Të kuptoj se çfarë do ti, po drejtori thotë duhet të bësh një kërkesë që të marrësh përgjigjen.
Gazetari – Ti më the që nuk është?!
Doktori – Po, sepse s’e pashë unë!
Gazetari – Po nëse nuk është regjistruar fare dhe nëse nuk është lajmëruar fare punonjësi i policisë, mbani ju doktorët?
Doktori – Patjetër që mbajmë, po!
Gazetari – Po pra, dhe në këtë rast policia nuk është lajmëruar në datën 30 mars.
Doktori – Nuk e di, nuk e di.
Gazetari – Po s’është lajmëruar!
Doktori – Ti po thua, nuk e di.
Shkojmë te Drejtoria e Spitalit Krujë
Gazetari – Dua të di ku është regjistruar ose ku është mjekuar?
Punonjësja – Ok, bëni një kërkesë
Gazetari – Ja, të autorizoj drejtori një person, të hapë regjistrin. Është apo nuk është, kaq duam dhe ne, është apo nuk është? Me aq sa e pamë ne, nuk ishte!
Punonjësja – Depozitoni kërkesën.
Gazetari – Kërkesë nuk bëjmë, drejtori të caktoj një person të na shoqërojë atje dhe t’a verifikojmë është apo nuk është?!
Punonjësja – A mund të vendosi kërkesë, kaq mund të them?
Gazetari – Jo.
***
Grupi i Fiks Fare interesohet në Komisariatin e Policisë në Krujë, nëse ka pasur njoftim nga spitali apo nga ndonjë qytetar?
Polici – E ke emrin aty?
Gazetari – Po …
Polici – (Flet me Sallën Operative) 30 mars në 5 të mëngjesit thotë. Zakonisht spitali njofton kur ka kështu probleme dhune, plagosje kështu si rast që dyshon, a më kupton.
Gazetari – Ku është ai, te salla këtu?
Polici – Te salla këtu. Kam frikë se s’ka njoftuar.
Polici – (Flet sërish me Sallën Operative) Ho re, ndonjë përgjigje ndonjë gjë? Po për dhunë ka qenë, në 5 të mëngjesit më 30 mars.
Gazetari – Goditje në kokë, në vesh.
Polici – Goditje ça thonë këta. Njoftim a keni ju? Po atëherë s’ka njoftim! Goditje në kokë ka pasur ky …
Gazetari – Ka emra?
Polici – Ëë? S’ka kurrkund ë? S’keni njoftim ju me një fjalë, derisa s’është shënu! Te Spitali i Krujës ju s’keni njoftim nga spitali? S’ke ç’a gjen kur s’ka hëhëhë. Nuk është shënu gjë. Po s’pati, s’pati. Me zor nuk shkruhet ajo!







