Nga listat e mbyllura te çelësat e vilës! rruga e shpejtë e Xhenis Çelës në politikë dhe pasuri
Në letër kjo quhet “konkurs”, por realisht është një farsë e zakonshme shqiptare.
Ky dokument i datës 10 qershor 2015 është vendimi i Korporatës së Investimeve Strategjike, që i jep Vilën e Enver Hoxhës në Velipojë kompanisë “Xhenis-SH”, që mban emrin e deputetes së PS, Xhenis Çela, e regjistruar në emër të nënës së saj, Belma Çela, gruas së ish-deputetit të PS, Agron Çela.
Firma “Xhenis-SH” shpallet fituese ndaj dy operatorëve të tjerë dhe do të privatizojë Vilën në Velipojë, në vend të së cilës do të ngrejë një hotel me 5 yje.
Dokumentet zyrtare tregojnë se kompania “Xhenis-SH” u shpall fituese për transformimin e pronës ikonë shtetërore, vila e Enver Hoxhës në Velipojë në një hotel me pesë yje. Fituesja mori përballë dy konkurrentë të tjerë “formalisht” dhe do t’i paguajë shtetit vetëm 1.5 milionë lekë në muaj, për një pasuri prej 8.100 m² në një nga zonat më të lakmuara bregdetare.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama shtoi: “Ne po zhvillojmë një infrastrukturë të re financiare për shtetin, duke u bazuar tek modelet më të mira në Europë, për të marrë të ardhura të mëdha, të cilat do të vihen në dispozicion të interesit publik”.
Për Vilën në Velipojë u shpall fituese skuadra Xhenis-Sh LLC, Saunders Architecture, Smart Studio, Vogt, Adnan Kastrati, Melia Hotel International.
Kjo është një pronë e stërmadhe me sipërfaqe 8.100 m2 në Velipojë, e cila do të shndërrohet në një hotel butik.
Më herët, në datën 20 janar 2025, Korporata e Investimeve Shqiptare hapi procedurën konkurruese “për rikonceptimin e rezidencave qeveritare në struktura akomodimi elitar, Vila Velipojë”.
“Këto struktura, shpesh të vendosura në lokalitete të izoluara dhe të mbështjella nga peizazhe natyrore mbresëlënëse, janë ndërtuar kryesisht gjatë periudhës së komunizmit dhe shërbyen si rezidenca për liderët politikë dhe personalitetet e tjera të larta të regjimit” thuhet në dokumentet e projektit.
Kush është Agron Çela?
Ish-deputeti që kaloi nga LSI tek PS, me bekimin e Edi Ramës dhe “tradhtinë” ndaj Ilir Metës. Me ndihmën e Metës kishte përfituar rreth 170 mijë euro nga DIA, kompania e famshme që mblidhte borxhet për CEZ me ndërmjetësim politik. Çela u mor në pyetje nga SPAK më 2023, por me kalimin në “kampin fitues”, duket se u pastrua edhe nga dosjet penale.
Agron Çelën e futi në politikë Ilir Meta, pasi kishin bërë bashkë biznes me lekët e CEZ. Në vitin 2013, 2017 dhe 2021 Agron Çela u zgjodh si deputet në zgjedhjet parlamentare nën siglën e LSI.
Në qershor 2022 ka qarkulluar një foto e Çelës me drejtuesen e PS në Shkodër në atë kohë, Elisa Spiropalin dhe Benet Becin.
Kjo ishte “tradhtia” e Agron Çelës ndaj Ilir Metës duke u bashkuar me Edi Ramën.
Më pas Çela do të pozonte edhe me Edi Ramën para zgjedhjeve të 11 majit, ku duhet të jetë bidseduar për të futur të bijën në listat e mbyllura të PS për kadidatët për deputetë.
Në deklaratat për SPAK, Çela luan viktimën: nuk e njeh as DIA-n, as BTT-në, dhe as njerëzit me të cilët ka bërë biznes. Por faktet flasin ndryshe – kompania e tij “Xhenis-SH” rezulton përfituese direkte e shifrave të mëdha nga skemat e CEZ.
Një tjetër aferë “Kafja e Madhe” në Shkodër
Ndërkohë që ushtronte detyrën si deputet, kompania e tij fitoi të drejtën për rindërtimin e objektit më të rëndësishëm historik në Shkodër – “Kafja e Madhe”, një monument kulture i kategorisë së parë. Në vend që ta restaurohej, objekti u shemb dhe u betonua, duke shkatërruar një pjesë të trashëgimisë kulturore kombëtare. KLSH e kallëzoi për “shkatërrim të veprave kulturore”, por sërish, si në çdo histori me fund të lumtur për të fortët, dosja u arkivua në qetësi.
Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka kallëzuar përpara organit të akuzës, kompaninë në pronësi të Agron Çelës dhe bashkëshortes së tij, Belma Çela, për veprën penale “Shkatërrim i veprave kulturore”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 160 i Kodit Penal.
Gjatë kohës kur Çela ushtronte detyrën e deputetit, në vitin 2016, kompania “Xhenis-Sh” Shpk në pronësi të tij, fitoi me vendim të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, rindërtimin e “Kafes së Madhe”, projektuar nga arkitekti Kolë Idromeno, objekti më i rëndësishëm i kategorisë 1 në Shkodër.
Në inspektimin e KLSH thuhet se subjekti “Xhenis–Sh” SHPK filloi punimet në shkelje të nenit 79 të ligjit për trashëgiminë kulturore dhe muzetë.
Me shkresën nr. 144/4, prot., datë 28.05.2021 “Për marrjen e masave urgjente për pezullimin e menjëhershëm të punimeve në objektin “Kafja e Madhe Shkodër” i është kërkuar ish kryetares së bashkisë, Voltana Ademi të ndërpriten menjëherë punimet, por nuk është kthyer asnjë përgjigje nga kryebashkiakja, e cila ka qenë vetë në detyrë në momentin kur Çela ka zaptuar Kafen e Madhe.
Ndryshimi i drejtimit të bashkisë në vitin 2022, duket se ka sjellë përplasje mes Çelës dhe Bardh Spahisë, i cili nuk ka pranuar t’i dalë në mbrojtje deputetit të Metës, në çështjen që ka në prokurori.
Duke u mbështetur tek Rama, Agron Çela rriti influencat dhe mundi të ndikojë tek prokurorët e Shkodrës për të arkivuar dosjen penale të shkatërrimit të Kafes së Madhe, për interesa të biznesit të tij.
Para se të quhej “Kafja e Madhe”, godina pati tre emra: Fillimisht quhej Kafe “Adriatik”. Më pas u quajt Kafe – Hotel “Park” dhe në fund “Grand Hotel Savoia”. Fasada e objektit është e stilit austro hungarez.
Ndërtesa ndahej në dy kate, ku i pari kishte kapacitet deri në 200 persona dhe 50 tavolina, ndërsa në katin e dytë ishin 9 dhoma gjumi për turistët apo vizitorët. Në vitin 2007, Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve e shpalli “Monument Kulture të Kategorisë së Parë”.
Tani që me sa duket i ka mbyllur letrat me SPAK dhe mori çelësat e vilës së Enver Hoxhës si shpërblim për kontributin ndaj PS-së, Agron Çela ka marrë “pensionin” politik dhe ia ka dorëzuar stafetën të bijës, Xhenis Çelës. Të thoshin se këtu ka “konflikt interesi”, do të ishte e butë, po ashtu “mashtrim” me faturat e CEZ duket diçka që vetëm prokurorët e dinë. Kjo histori është korrupsion i pastër politik!
Tani, radha i takon vajzës
E bija, Xhenis Çela, nuk ka pasur nevojë për fushatë. Emri i saj u fut në listën e mbyllur të PS për Shkodrën dhe u bë deputete. Shpërblimi nuk vonoi: kompania me emrin e saj “fitoi” një pasuri të jashtëzakonshme me procedura të errëta dhe konkurrentë që ishin aty vetëm për të justifikuar një “proces formal”.
Kjo është Shqipëria që ndërtohet çdo ditë: pronat publike kalojnë në duar private, fytyrat e reja politike fshehin krimet e vjetra të baballarëve të tyre, dhe partia në pushtet gjen gjithnjë mënyra për të shpërblyer besnikët.
Të flasësh për konflikt interesi këtu do të ishte e butë. Të përmendësh mashtrimin me faturat e CEZ, tingëllon si diçka që i përket vetëm fjalorit juridik. Kjo është një histori klasike e korrupsionit politik shqiptar, e paketuar si zhvillim strategjik dhe e zbukuruar me emra vajzash, resorte me pesë yje dhe fasada evropiane.
Kjo është “rilindja” në veprim.
Emri i Ergys Agasit u bë i njohur në media pas intervistës së ish- zëvendëskryesminit…
Gjykata e kap në flagrancë për shpërdorim detyre, në konflikt me ligjin dhe qytetarët Ndërkohë…
Del plani i ri urbanistik, rritet lartësia e ndërtimeve dhe e gjitha zona kthehet në…
Naim Noka Gjashtë zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar janë marrë zyrtarisht të pandehur nga SPAK…
Paratë e institucioneve për siguracione ndërtesash dhe makinash jepen në tendera pa garë dhe me…
Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Komisionit të Stabilizim-Asociimit, eurodeputeti Fredi Beleri ngriti shqetësimin…