Siguria në Shqipëri një farsë statistike në mes të tragjedive

Albert Mero

Janari u mbush me vrasje dhe aksidente, por shkurti nisi me një tragjedi të dyfishtë që tronditi vendin. Një vajzë 15-vjeçare humbi jetën duke u vetëflijuar nga dritarja e apartamentit në Lushnjë, ndërsa në Tiranë, një baba vrau djalin e tij pas një sherri në gjendje të dehur. Dy ngjarje të rënda, të cilat ekspozojnë një realitet të hidhur: mungesën e mbështetjes për të rinjtë dhe një shoqëri që po gërryhet nga dhuna e brendshme.

Nëse i shtojmë këtyre episodeve një plagosje të ndodhur vetëm pak ditë më parë, ku xhaxhai qëlloi nipin pas një sherri për drogë, dhe një tjetër përplasje ku një burrë plagosi dy vëllezër për një fjalë goje, tabloja bëhet edhe më e zymtë. Në Shqipëri, jeta duket se po zhvlerësohet në mënyrë dramatike, ndërsa konfliktet e çastit shndërrohen në tragjedi.

Shqiptarët, më të pasigurt se kurrë

Raportet ndërkombëtare janë të qarta: Shqipëria është ndër vendet më të pasigurta në Europë. Indeksi i Ligjit dhe Rendit i Gallup e vlerëson Shqipërinë me vetëm 80 pikë, një tregues i ulët për sigurinë publike. Kjo shifër tregon se shqiptarët ndihen më të pasigurt se më parë, jo vetëm për shkak të kriminalitetit të lartë, por edhe për shkak të dështimeve të institucioneve që supozohet t’i mbrojnë ata.

Megjithatë, qeveria ka zgjedhur një rrugë tjetër: relativizimin dhe manipulimin. Edi Rama, në një dalje publike, tentoi të hedhë baltë mbi realitetin duke pretenduar se 82% e shqiptarëve ndihen të sigurt, sipas një ankete të një kompanie suedeze. Kjo deklaratë është e rrezikshme jo vetëm sepse është në kundërshtim me të dhënat e organizatave ndërkombëtare, por edhe sepse përdoret si një mjet propagandistik për të fshehur dështimet sistemike.

Nga viktimat te statistikat e manipuluara

Rama tha se Shqipëria është afër mesatares së BE-së për numrin e vrasjeve, por ai harroi një detaj të rëndësishëm: Shqipëria ka një popullsi shumë më të vogël se vendet e tjera europiane. Kjo do të thotë se çdo krim i kryer ka një ndikim shumë më të madh në përqindjen e kriminalitetit sesa në shtetet me popullsi më të madhe. Për më tepër, përqindjet dhe mesataret nuk e ndryshojnë faktin se siguria është një perceptim që buron nga realiteti i përditshëm, dhe ky realitet nuk është ai që përshkruan kryeministri.

Këto ngjarje të rënda tregojnë dështimin e një sistemi që nuk arrin të ofrojë as edukim të shëndetshëm për të rinjtë, as mbështetje psikologjike për ata që luftojnë me depresionin, as një polici efektive që të parandalojë dhunën në familje. Kemi një drejtësi të paaftë, një sistem arsimor të degraduar dhe një kulturë publike që nuk e trajton sigurinë si një prioritet kombëtar.

Në këtë vend, fjalët vazhdojnë të jetojnë, por njerëzit po vdesin. Dhe për këtë, dikush duhet të mbajë përgjegjësi.

Publikuar nga Publik Media