S’ka shpresa për bashkim të opozitës, përfaqësuesi i Lapajt sherr me Shehajn

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Opozita shqiptare vijon të shfaqet e fragmentuar, pa një plan të qartë bashkimi, pavarësisht thirrjeve për bashkëpunim dhe objektivave të deklaruara si të përbashkëta. Kjo u reflektua qartë edhe në debatin e zhvilluar në emisionin “Të Paekspozuarit, ku u diskutua nisma e analistit Ermal Hasimja për krijimin e një tryeze bashkëpunimi mes forcave opozitare.

Edhe pse propozimi synon koordinimin e veprimeve për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe përballjen me qeverinë aktuale, debati në studio tregoi se ndasitë janë të thella, madje edhe mes partive të reja opozitare, duke e bërë bashkimin edhe më të vështirë.

Sekretari i Përgjithshëm i “Shqipëria Bëhet”, Elton Laska, dhe deputeti Agron Shehaj u përfshinë në një debat të ashpër, i cili nxori në pah mospërputhjet në qasjen ndaj bashkëpunimit politik, pavarësisht deklaratave publike për nevojën e një fronti opozitar.

Laska theksoi se nuk bëhet fjalë për bashkim apo koalicion me Partinë Demokratike, por për negociata konkrete që synojnë ndryshimin e rregullave të lojës politike dhe rrëzimin e asaj që ai e cilësoi si qeveri të korruptuar. Sipas tij, pritja që partitë e reja të rriten gradualisht për të sjellë ndryshim është një luks që vendi nuk e ka më.

Nga ana tjetër, Shehaj argumentoi se sinqeriteti politik është thelbësor dhe se kush nuk dëshiron të ndërtojë diçka nga e para, ka tashmë një strukturë të madhe si Partia Demokratike. Ai theksoi se partitë e vogla duhet të qëndrojnë koherente me parimet e tyre dhe të mos kërkojnë “rrugë të shkurtra” politike.

Debati mes tyre u tensionua edhe më tej, duke kaluar në akuza personale dhe referenca ndaj çështjeve gjyqësore, çka e largoi diskutimin nga ideja e bashkëpunimit dhe e përqendroi atë në përplasjen individuale.

Në përpjekje për të rikthyer fokusin te nisma, Ermal Hasimja sqaroi se janë zhvilluar kontakte me Partinë Demokratike dhe aleatët e saj tradicionalë, të cilët janë shprehur të gatshëm për dialog. Ai tha se edhe “Shqipëria Bëhet” ka pranuar në parim të marrë pjesë në tryezë, duke paraqitur kërkesat e veta dhe duke treguar seriozitet në diskutime.

Sipas Hasimes, bisedime janë zhvilluar edhe me forca të tjera opozitare, përfshirë LZHK-në dhe lëvizjen “Diaspora për Shqipërinë e lirë”, ndërsa synimi është krijimi i një hapësire të gjerë bashkëpunimi ku të përfshihet jo vetëm politika, por edhe shoqëria civile. Ai vlerësoi se rreth 95 për qind e opozitës mund të përfaqësohet në këtë tryezë, pavarësisht refuzimit të disa aktorëve për t’u përfshirë.

Hasimja theksoi se mosbashkimi i disa forcave nuk duhet parë si problem apo konflikt, por si zgjedhje politike, duke nënvizuar se objektivat madhore të opozitës mbeten të përbashkëta, edhe pse rrugët për t’i arritur ato janë të ndryshme.

Debati: 

Elton Laska: Dëgjova, bashkim, koalicion, nuk ka as bashkim me PD dhe as koalicion. Ka negociata, që flasin se si të ndryshojmë Kodin Zgjedhor. Negociata si të rrëzojmë këtë qeveri të korruptuar. Këto janë gjërat kryesore. Nëse më thoni të presin qytetarët që partia Shqipëria Bëhet, ose partitë e reja, të rriten dhe të bëhen të mëdha, për të ndryshuar ato që kanë sjellë Shqipëriënë, duhet të presim edhe 20 vjet të tjera. Nuk ka kohë për të pritur 20 vjet.

Agron Shehaj: Nëse do të fshihemi pas gishtit, e bëjmë. Por duhet të jemi të sinqërtë, këta presin që partitë e vogla të rriten, kushdo që nuk do të ndërtojë gjë nga fillimi, e ka zgjedhjen, kanë Partinë Demokratike. PD është e madhe por duhet të bëhet më e madhe për të fituar zgjedhje. Kush ka merakun, se thotë partitë e vogla duhet të rriten…

Elton Laska: Nuk është ky problemi, se ku e keni dëgjuar e dini ju. Unë thashë, nëse Shqipërisë i duhet ndryshimi i Kodit Zgjedhor…

Agron Shehaj: Unë citova atë që thatë ju. Një parti ose qëndron me parimet e veta, ose gjen rrugën e shkurtër.

Elton Laska: Ne do ti kërkojmë çdo partie që është për të ndryshuar Kodin Zgjedhor dhe për të rrëzuar Ramën, të bashkohet në shesh.

Agron Shehaj: Është në siklet.

Elton Laska: Zoti Shehaj, nuk je i mbinatyrëshm të dish kush është në siklet. Je dënuar nga gjykata.

Agron Shehaj: Njerëzit kur janë në politikë duhet të jenë koherent me qëndrimet e tyre. Nuk e ke mësuar koherencën nga kryetari yt, që tha po morëm një mandat, nuk e marr, pastaj latë nam për atë mandat. Mos gënje haptaz, sepse ai gjykatësi ka vendosur, që çfarë kam thënë unë për kryetarin tënd, ka thënë që nuk ishte shpifje.

Elton Laska: A je gjobitur?

Agron Shehaj: Fol me Tikun të të sqarojë.

Ermal Hasimja: Ne kemi biseduar me PD-në dhe aleatët e vet tradicional, që kanë qenë të hapur dhe të gatshëm të ulen në tryezë. Edhe Shqipëria Bëhet ka rënë dakord në parim të marrë pjesë në tryezë. Ka paraqitur kërkesat e veta, por janë treguar seriozë në të gjithë diskutimet. Të njëjtin diskutim kemi patur me Dashamir Shehin e LZHK. Gjithashtu edhe me lëvizjen Diaspora për Shqipërinë e lirë. Nuk po fus aleatët e zakonshëm pastaj të PD. Kjo është vetëm pjesë politike, partiake. Është edhe pjesa e faktorëve të tjerët ë shoqërisë civile. Aty do të jetë 95% e opozitës, e mbledhur në të gjithë senset. Kjo nuk është se ka ndonjë qëndrim negativ, ndaj asaj që dëshiron të bëjë zoti Shehaj dhe zoti Qori. Nuk dëshirojnë të bashkëpunojnë, i respektoj plotësisht, nuk i akuzoj për diçka, asnjë lloj problemi nuk ka, nuk kam akuza por argumenta. Nuk janë por nuk është problem, kanë rrugën e tyre. Obkjetivat i kemi të përbashkëta.

Publikuar nga Publik Media