Një incident i rëndë ka ndodhur sot në Tiranë, ku kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka ushtruar dhunë fizike ndaj sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Franko Bushati.
Ngjarja është shënuar rreth 1 orë më parë, gjatë ndeshjes mes Vllaznisë dhe Besëlidhjes, e zhvilluar në një nga pallatet e sportit në kryeqytet. Burime për Publik.al bëjnë me dije se përplasja ka nisur me shkëmbim fjalësh të ashpra mes dy personave dhe më pas ka degjeneruar në konflikt fizik.
Mësohet se për këtë rast po përgatitet një kallëzim penal në Komisariatin Nr. 2 në Tiranë, ku Franko Bushati pritet të depozitojë ankesën ndaj zyrtarit të lartë të zgjedhur të Partisë Socialiste.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në komunitetin sportiv dhe publik, sidomos për shkak të faktit që protagonist i dhunës është një funksionar i lartë publik, i cili në vend të përfaqësojë etikën institucionale, ka zgjedhur të reagojë me forcë.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga vetë Pjerin Ndreu, ndërsa Policia e Shtetit nuk ka dhënë informacion mbi procedimin e mundshëm penal apo hetimet që janë hapur për këtë ngjarje.