Skandali: Bankers nuk i ka dhënë shtetit 400 mln euro për dëmet ambientale

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Gazetari Klodian Tomorri ka ngritur akuza të forta ndaj Bankers Petroleum, duke denoncuar atë që e cilëson si një dëm të madh mjedisor dhe financiar ndaj shtetit shqiptar.

Sipas Tomorrit, kompania duhej të kishte garantuar një shumë prej rreth 300 deri në 400 milionë euro për rikuperimin e dëmeve mjedisore të shkaktuara nga aktiviteti i saj në zonat naftëmbajtëse, kryesisht në Fier. Megjithatë, ai pretendon se kjo shumë nuk është depozituar dhe nuk është marrë asnjë masë konkrete.

Ai thekson gjithashtu se ekzistonte një klauzolë kontraktuale që detyronte kompaninë të ngrinte një fond garancie prej 50 milionë dollarësh gjatë 5 viteve të fundit të koncesionit, për të përballuar kostot e abandonimit të puseve dhe rikthimin e mjedisit në gjendje të pranueshme.

“Duhet të ishte rënë dakord, të ishte caktuar shifra që sa kushton rikuperimi ambiental për të gjithë fushën ku Bankers ka shfrytëzuar puset. Ka fshatra të tërë të zhytur në pellgje nafte. Bëhet fjalë për 300-400 mln euro. Bankers duhet të jeptë qeverisë 400 mln euro, që qeveria të rikuperonte dëmet mjedisore në fusha dhe fshatra të Fierit. Nuk është ngrirë asnjë para dhe ata po e lënë derisa këta të mbarojnë koncesionin.

Ata do mbarojnë konceisonin dhe do të marrin çfarë kanë mundësi, do të marrin mirë sepse me këtë çmim që është nafta po marrin mirë dhe ne do rrimë me duart e thata si gjithmonë. Ai të merr miliarda, apo qindra milionë, të lë edhe dëm 400 mln mjedisor dhe të ikën. Ti si shtet nuk merr asnjë masë. Për çfarë i arrestove? Paratë nuk ja merr. Pse e lejon këtë tani?

Pati thashethem që goditja ishte sepse donin të hiqnin kinezët. Por dyshoj që aty të vijë kompani tjetër, sepse fusha ka mbarura. Është shfrytëzuar barbarisht. Po marrin çfarë të mundin, do të lënë tokë të djegur”, deklaroi Tomorri në emisionin Të Paekspozuarit.

Sipas tij, situata rrezikon që Shqipëria të përballet me pasoja të rënda mjedisore dhe financiare, ndërsa kompanitë përfitojnë maksimalisht deri në fund të kontratave të tyre”, u shpreh Klodian Tomorri.

Publikuar nga Publik Media