SKANDALI/ FNSH Tiranë pa ujë në 2025!

Elita e Policisë mbush bidonë për tualetet dhe dhomat

Nga Publik.al

Në zemër të Tiranës, në vitin 2025, efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH)  reparti elitar i Policisë së Shtetit  po përballen me një realitet të turpshëm dhe denigrues: mungesë uji, kushte minimale dhe asnjë reagim institucional, raporton gazetari Igli Çelmeta.

Sipas  denoncimit të gazetarit Igli Çelmeta, situata në repartin e FNSH-së në Tiranë është degraduar në mënyrë dramatike. Prej javësh, efektivët detyrohen të mbushin ujë me bidona, pasi furnizimi me ujë të rrjedhshëm ndalet pas orës 12:00. Uji vjen vetëm për rreth 4 orë në ditë – nga ora 07:30 deri në 12:00 – dhe më pas tualetet, dushet dhe dhomat mbeten jashtë funksionit.

Një realitet absurd, në një repart që supozohet të jetë garda elitare e sigurisë në vend.

Kjo situatë jo vetëm është poshtëruese për efektivët që kryejnë trajnime intensive dhe janë në gatishmëri të përhershme për ndërhyrje, por përbën edhe një rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik. Mungesa e ujit për higjienë personale në ambiente të përbashkëta dhe intensive është alarmante.

Ironia më e madhe? Ndërsa qeveria mburret me “standardet europiane” të reformës në polici dhe me sukseset në fushën e rendit, në terren realiteti është i errët. Efektivët e FNSH-së jo vetëm që nuk kanë ujë, por sipas burimeve, janë mashtruar edhe për bonuset e premtuara pas zgjedhjeve dhe Samitit të NATO-s. Shpërblimet e premtuara mbetën në letër, ndërsa efektivët përballen sot me mungesën e kushteve më bazike për dinjitet dhe funksionim.

Asnjë reagim publik nga drejtuesit e Policisë së Shtetit. Asnjë sqarim nga Ministria e Brendshme. Skandali mbulohet me heshtje, ndërsa ata që mbajnë mbi supe sigurinë e qytetarëve, trajtohen si qytetarë të dorës së tretë.

Publikuar nga Publik Media